Reforma ne arsim, deklarim për sukses dhe akuzat për dështim, kanë rivënë përball, por këtë radhë në rrjetet sociale kryeministrin Edi Rama dhe liderin e opozitës Lulzim Basha.

Edhe pse nuk ndodhet në Shqipëri, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të uroj  nga rrjetet sociale maturantët që presin të nisin studimet e larta.

“Të dashur maturantë, sistemi i regjistrimeve në universitete është, për herë të parë pas 25 vjetësh, i gjithi në duart tuaja! Konkurrenca dhe merita, janë më në fund dhe në transparencë të plotë përpara syve tuaj! Urime e suksese të gjithëve ndër ju që tanimë e kanë bërë zgjedhjen e tyre dhe janë regjistruar, ndërkohë që të tjerët mund të ndjekin në kohë reale zhvillimet për çdo degë, për të përmbushur synimin e tyre”, shkruan Rama.

Për kreun e qeverisë, sistemi i regjistrimeve në universitete është, për herë të parë pas 25 vjetësh, i gjithi në duart e maturantëve, duke sjellë një ndryshim epokal.

“Deri dje të gjitha këto zhvillime ndodhnin larg syve dhe kontrollit tuaj, në errësirë të plotë, në dëm të konkurrencës e të meritës. Sot ju jeni dëshmitarët e parë të një ndryshimi epokal. Miku, fisi, partia, leku apo shansi qorr, nuk kanë më asnjë fuqi mbi fatin tuaj në këtë proces. Atë e keni në dorë ju!

Me vëmendje e durim, ndiqni zhvillimet e raundit te dyte. Mbarësi e suksese!

Rilindje-ShqipëriaeGjeneratësTjetër-QentëLeTëLehinKarvaniEcënPërpara”, shkruan Rama.

Menjëherë pas tij ka reaguar kreu i PD, Lulzim Basha i cili thotë se situata në arsim paraqitet e rëndë përballë 18 mijë maturantëve mes tyre mijëra me rezultate shumë të mira dhe të shkëlqyera, që vazhdojnë të jenë në ankthin e pritjes nëse do të arrijnë të ndjekin studimet sipas meritës dhe preferencës.

“18 mijë maturantë, mes tyre mijëra me rezultate shumë të mira dhe të shkëlqyera, vazhdojnë të jenë në ankthin e pritjes nëse do të arrijnë të ndjekin studimet sipas meritës dhe preferencës. Ata dhe prindërit e tyre që kanë sakrifikuar gjithçka për shkollimin e tyre nuk kanë asnjë përgjigje pse nuk janë vlerësuar rezultatet e shkëlqyera të fëmijëve të tyre.

E ndërsa prisnin zgjidhje, autori i kaosit dhe pasigurisë së krijuar, ju dhuroi një tjetër mashtrim dhe përqeshje, që në orët e para të mëngjesit”, shkruan Basha.

Ai deklaron se maturantët janë viktimat e radhës së pushtetit të korruptuar të Ramës.

“Nga bordi i një avioni privat, i shkëputur totalisht nga realiteti, Rama vazhdoi avazin e gënjeshtrave dhe talljeve me ëndrrat e mijëra të rinjve të cilëve ju ka vjedhur të ardhmen me aferat korruptive që fshihen pas pseudoreformës në arsim. Për Ramën vlejnë vetëm milionat korruptive që fut në xhepat e tij dhe miqve të tij. Maturantët janë ‘viktimat’ e radhës të pushtetit të tij të korruptuar. Transparencë, Meritë-Preferencë dhe mbështetje buxhetore, këtë meritojnë dhe këtë do të kenë të rinjtë shqiptarë pas shfuqizimit të pseudoreformës Rama. Shqipëria më mirë pa Edi Ramën”, deklaron Basha.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb