Në Vlorë po zhvillohet sot finalja e konkursit ndërkombëtar për projektin e stadiumit të ri “Flamurtari”, e konsideruar si qendër tjetër e qytetit.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Kryeministri Edi Rama u shpreh se ambicia është krijimi i modeleve të reja, ku stadiumet e qyteteve tona të mund të bëhen edhe motorë zhvillimi ekonomik e social.

“Me këto ndërhyrje ne synojmë të fitojmë jo vetëm stadiume të reja por edhe qendra të reja sociale e të jetës ekonomike që do të rrisin fuqinë e zhvillimit në të gjitha aspektet dhe do t’u afrojnë banorëve, vizitorëve e turistëve më shumë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se projektet e stadiumeve të Durrësit e Korçës kanë ngjallur interesin e qyteteve të tjera.

“Këto janë tre stadiumet e para, nuk janë fundi i një përpjekje të nisur që bashku me FSHF-në por janë vetëm vazhdimi. Ne do të ulemi dhe do të studiojmë se cilët do të jenë vagonët e tjerë që do t’i bashkohen këtij treni që lokomotivën e ka te Air Albania në Tiranë. Por janë edhe stadiumet e reja të Shkodrës, Elbasanit, Kukësit dhe së shpejti do të hapim edhe kantierin e stadiumit të dytë të Tiranës ‘Selman Stërmasi’ me një partneritet publik- privat, falë një prej studiove më të mëdha në Europë, nga Holanda”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se Vlora prej kohësh kërkon një stadium si i ka hije por sot është koha për ta ndërtuar.
“Vlora kaloi një periudhë shumë të zymtë braktisje dhe izolimi. Vetëm vitet e fundit është ngjitur në një tjetër nivel, është kthyer në një qytet të vizituar, i cili më parë shërbente si vendkalim për të shkuar më tutje në jug sepse nuk kishte gjë tjetër përveç kantiereve të ndërtimit të pallateve që u kthyen në një stok të frikshëm që nuk shitej”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “sot në Vlorë është rritur në mënyrë të vazhdueshme vlera e pronës, e apartamenteve dhe hapësirave për biznesin”.

“Janë krijuar kushtet që duke bashkuar interesin publik me atë privat në bazë të modelit që kemi ndërtuar me shumë sukses bashkë me FSHF, të ndërtojmë këto stadiume të reja”, tha Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: