Pasi Zëri i Amerikës (Voice of America) publikoi përgjime për punësimet në burgje në kohën kur ky Drejtoria e Burgjeve drejtohej nga Arben Çuko, ka reaguar kryeministri Edi Rama. Ai ka sulmuar VOA-n për të cilin thotë se flet nga kazani i Tiranës duke përgojuar dynjanë mbi llogje telefonike.
“Erdhi dita që Zëri i Amerikes të flasë nga kazani i Tiranës, duke përgojuar dynjanë mbi bazë llogjesh telefonike?Për herë të parë në Albania organizohet konkurs publik për punësimet në burgje dhe kazani gjëmon deri në Amerikë e jehon në katundin tonë mediatik?Çfarë katandie?”, shkruan Rama.

Më tej Rama shkruan se mund të verifikohen dokumentet e konkursit dhe rezultatet me rekrutimet. Ai e quan investigimin e Zërit të Amerikës një sulm të ulët dhe aspak gazetaresk.
“Shkoni verifikoni dokumentat e konkursit e ballafaqoni rezultatet me rekrutimet, pastaj hidhni baltë sa të doni! U kujtuat për emërimet partiake në administratë, pas 30 vjetësh dhe duke sulmuar ultësisht, e aspak gazetarisht, pikërisht ata që po bëjnë çmos t’i vënë fre zullumit?”, shkruan Rama më tej duke përdorur emoji ‘i neveritur’.

Ndërkohë sot Zëri i Amerikës publikoi një pjesë të përgjimeve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda që çuan në pranga ish-drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve Arben Çuko. Sipas VOA-s, Hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për ish-drejtorin e Burgjeve, Arben Çuko ekspozojnë farsën e konkurseve publike dhe ndërhyrjet për punësime nga zyrtarë lokalë, deputetë të Partisë Socialiste dhe në një rast, edhe nga kabineti i kryeministrit Edi Rama.
Në një rast të përgjimeve të cituar nga VOA thuhet se më 30 prill 2018, drejtori i Përgjithshëm në atë kohë i Burgjeve, Arben Çuko mori një telefonatë nga kabineti i kryeministrit Edi Rama. Biseda bëhej me porosi të drejtoreshës së kabinetit, Vali Bizhga dhe kishte në fokus punësimin e një vajze.
(m.k/BalkanWeb)