Nga: AURORA KOROMANI*
TIRANE- Kryeministri i vendit, Edi Rama edhe këtë vit nuk ka harruar që të urojë efektivët e Policisë së Shtetit, duke u bërë kryeministri i parë që ndjek një traditë të tillë. Vetëm dy ditë më parë, punonjësit e uniformave blu kanë marrë nga një kartolinë urimi për festat e fundvitit, në të cilat kreu i qeverisë u shpreh mirënjohjen e tij për punën që kanë bërë përgjatë gjithë vitit. Në tekstin e kartolinës, kryeministri Rama u ka premtuar efektivëve se ata do të kenë mbështetjen e tij për transformimin e kushteve dhe rritjen e cilësisë së mjeteve me të cilat punonjësit e policisë punojnë çdo ditë. Por, kreu i ekzekutivit nuk ka harruar që t’u premtojë punonjësve të ruajtjes së rendit edhe përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre, duke u shprehur i vetëdijshëm për sakrificat dhe hallet e familjes së çdo efektivi policie në vend. Në fund të kartolinës, Kryeministri i Shqipërisë në mënyrë vëllazërore u uron gëzuar të gjithë efektivëve. Ky është viti i dytë që Rama u dërgon kartolinë urimi, ndërkohë që duhet theksuar se është kryeministri i parë që në fund të vitit është kujtuar për të uruar edhe efektivët e policisë me një kartolinë urimi.

KARTOLINA

“I dashur/E dashur, Puna juaj plot sakrifica për sigurinë e vendit e të qytetarëve tanë, në luftë me krimin e me kundravajtjet e kthyera në zakon njëzet vjet me radhë, ka gjithë respektin dhe mirënjohjen e qeverisë sonë. Ne do të mbështesim me të gjitha mundësitë transformimin e mëtejshëm të kushteve dhe rritjen cilësore të mjeteve Tuaja të punës, ashtu si edhe përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së jetesës Suaj. Kontributet e mëdha të Policisë së Shtetit gjatë këtij viti për rilindjen e shpresës së shqiptarëve te Shqipëria e te vetvetja janë një shtysë e madhe dhe një inkurajim i jashtëzakonshëm për mua. Rezultatet e punës Suaj forcojnë tek unë si tek e gjithë shoqëria që kërkon shtet, dinjitet, barazi para ligjit, besimin se së bashku do të bëjmë për fëmijët tanë shtetin që Shqipëria meriton. Duke Ju siguruar se jam shumë i vetëdijshëm për sakrificat, hallet e shpresat Tuaja e të familjes Suaj, lejomëni t`Ju garantoj përkushtimin më të plotë që Viti i Ri 2015 të forcojë bindjen Tuaj se jemi në rrugë të mbarë. Për Shqipërinë dhe për njëri-tjetrin. Gëzuar! Vëllazërisht, Edi Rama”. Kështu mbyllet mesazhi i urimit që kreu i qeverisë u ka përcjellë efektivëve të policisë nëpërmjet një kartoline me rastin e festave të fundvitit.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb