Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me sipërmarrës në Lezhë, në vijim të turit elektoral për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Para përfaqësuesve të biznesit, Rama tha se së shpejti qeveria do të ketë gati një plan të cilin ai e quajti paqe fiskale.
Rama tha se drafti është parashikuar të jetë një marrëveshje mes qeverisë dhe biznesit.
“Nëse biznesi dhe qeveria apo tatimet bien dakord që për vitet e ardhshme unë si biznes do paguaj këtë që kam paguar vitin e kaluar plus rritjen ekonomike, atëherë tatimet marrin përsipër që ti nuk ke më asnjë kontroll asnjë marrëdhënie me burokracinë”, tha kryeministri.
Edi Rama: Do krijojmë një ofertë më cilësore dhe bindëse për Lezhën. Ajo që them me siguri nga eksperienca dhe si kanë ecur gjërat, rritja e vlerës së pasurisë do jetë më e madhe. Siç ju ka ndodhur gjithë vendve do na ndodh dhe ne, me hyrjen në BE, vlera e pasurisë së patundshme dyfishohet. Edhe qasja ndaj pronës ndryshon për shkak se ata që janë pjesë e BE-së, bëhen më të interesuar të investojnë. Për pak ditë do kemi një aktivitet me biznesin, për të shpjeguar planin e paqes fiskale. Kemi një plan, duke qenë se ka patur interes nga bizneset do bëjmë një shpjegim shterues.
Është mekanizëm i përdorur që në kohët e Romës së vjetër, që nënkupton një marrëveshje mes qeverisë dhe biznesit për kontributin. Nëse biznesi dhe qeveria apo tatimet bien dakord që për vitet e ardhshme unë si biznes do paguaj këtë që kam paguar vitin e kaluar plus rritjen ekonomike, atëherë tatimet marrin përsipër që ti nuk ke më asnjë kontroll asnjë marrëdhënie me burokracinë.
Elementi i dytë është mundësia që u japim bizneseve për t’u kthyer, të deklarojnë të ardhura që nuk i kanë deklaruar më parë për 5 vite, t’i deklarojnë pa marrë asnjë lloj penaliteti, duke paguar 5% për ato të ardhura.
(BalkanWeb)