Kryeministri Edi Rama, ishte në një takim gjatë ditës së sotme në Fier. Rama në fjalën e tij deklaroi se Shqipëria është përpara një momenti historik, ku ftoi të rinjtë që të votojnë për herë të parë që të bëhen pjesë me votën e tyre për të dërguar vendin në familjen e Bashkimit Europian.
“Besoj se e keni parë se në këtë rrugëtim drejt 11 majit, jemi ndalur të bëjmë takime të veçanta me vajzat dhe djemtë që votojnë për herë të parë. Këto zgjedhje janë zgjedhjet më të rëndësishme për shumë kohë për votuesit e parë. Çdo zgjedhje ka një rëndësi të veçantë për një komunitet. Nuk ka zgjedhje të parëndësishme. Jo çdo zgjedhje ka peshën e rëndësisë që nganjëherë fati të vë mbi super kur ditën e zgjedhjeve bashkohen bashkë detyra për të zgjedhur një palë apo individ, edhe misioni për të çuar përpara vendin tënd duke u takuar me historinë. 11 maji është takimi me historinë. Të gjithë votuesit e parë, me votën e tyre do vendosin për Shqipërinë me BE në Europë, për tu bërë qytetarë të barabartë të Europës me pasaportën europiane”, tha ai.
Më tej, Rama bëri një krahasim, kur u shpreh se zgjedhjet e 11 majit janë të rëndësishme njësoj si ato të 22 marsit 1992, kur u votua PD, pasi vendi duhej të ndahej nga e shkuara diktatoriale.
“Të ndjeni detyrimin që zgjedhjen tuaj ta ndani me të tjerët me shok shoqe, në klasë, auditorë, në fshat, qytet. Janë më shumë sesa zgjedhje për PS, më shumë se sa një mandat i katërt. Janë shumë të ngjashme me zgjedhjet e vitit 92. Kur një shumicë votuan PD, sepse në atë moment ishte koha dhe vendi i duhur, duke votuar për PD shqiptarët të ndanin historinë e së shkuarës me të ardhmen. Më 11 maj duke votuar PS ju do ndanin historinë e derisotme me historinë që nis pas 11 majit. Duke anëtarësuar Shqipërinë në BE”, përmbylli Rama.