DURRËS

Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në një takim me votues për herë të parë në Durrës, ku ju kërkoi të vazhdojnë së bashku dhe të vendosin përfundimisht më 25 prill. Rama tha se sot është momenti kur karakteri i të gjithë të rinjve do të testohet.

“Sot ju dhe të gjithë ata që janë si ju në moshën tuaj e bartni më shumë se sa në kohë të zakonshme peshën e përgjegjësisë dhe peshën e ndjenjës së pasigurisë të prindërve tuaj si rezultat i resë së zezë që qëndron mbi kokat tona, prej thuajse dy vjetësh tashmë. Sot ju e reflektoni më shumë se sa në kohë të zakonshme atë që prindërit tuaj e reflektojnë mbi ju si një barrë të madhe të detyrimit të tyre për të vazhduar për të bërë atë që kanë bërë prej se keni lindur. Ky është momenti kur karakteri juaj i të gjithë të rinjve, do të testohet në një zgjedhje midis vullnetit, kokëfortësisë për të vazhduar dhe dobësisë për t’u dorëzuar.

Kush e imagjinonte në Shqipërinë e para 10 viteve që hyrja në universitet të bëhet sipas meritës. Jam krenar që e njëjta gjë vlen për mësuesit, për infermierët, për ata që mbarojnë universitetin dhe pavarësisht se kanë një mbiemër që nuk të thotë asgjë, pavarësisht se prindërit e tyre janë të varfër, nëse familja e tyre jeton në qytet apo majë të malit, nëse kanë rezultatet e duhura hyjnë dhe punojnë në administratën shtetërore. Nuk janë mjaft për të thënë se çdo gjë është në rregull, pikërisht se nuk janë mjaft duhet të vazhdojmë dhe kemi misionin të vendosim përfundimisht më 25 prill”, deklaroi Rama.

Ai tha se beteja jonë është një luftë që duhet të vazhdojë dhe se Shqipëria është në një test me vetveten.

“E di shumë mirë që në çdo vend të Shqipërisë dhe në Durrës ka drejtorë që nuk e meritojnë të jenë drejtorë. E di shumë mirë që ka njerëz në zyrat e shtetit që nuk e meritojnë të jenë në ato zyra. Por di se nëse do kthejmë kokën pas nga ku u nisëm sot jemi në një pjesë të rëndësishme të ngjitjes sonë. 95% e shërbimeve merren nga telefoni ose kompjuteri më i afërt.
Beteja jonë është një luftë që duhet të vazhdojë patjetër. Sot Shqipëria është në një test me vetveten dhe shqiptarët janë në një test me historinë. Disa herë shqiptarët janë tërhequr.
Në historinë e kohës, Haxhi Qamili ishte një personazh që arriti të ngrejë peshë dhjetëra mijëra njerëz duke i ofruar një rrugë qorre, dum babën dhe duke ua bërë jetën fushore”, tha Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: