TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka takuar sot krerët e bashkive në vend ku ka folur për projektet e qeverisë dhe bashkëpunimin me vendorët. Financimi i ujit dhe rrugëve rurale ka qenë në qendër të diskutimit.

Rama ka prezantuar edhe programin e ri të rindërtimit që pritet të nisë së shpejti.
Kreu i qeverisë tha se gjatë kësaj kohe është bërë transformim i konsiderueshëm në zhvillimin urban.

“Jemi të vetëdijshëm që nuk është një proces i përmbushur. Kemi mbështetur 136 projekte të bashkive. Domosdoshmëri rrjeti i ujitjes dhe kullimit. Rrjeti i rrugëve rurale të lidhura me prodhimin nxitje për fuqizimin e tregjeve bujqësore. Cikli i projekteve duhet të mbyllet brenda një viti buxhetor. Rilindja urbane ka financuar 540 projekte ne gjithë Shqipërinë. Rijetëzim i mëtejshëm të ujitjes dhe kullimit, një tjetër fond për bashkitë”, tha kreu i qeverisë.

Kryeministri tha se është një paketë e re me 30 projekte nga 30 bashki. “Ky financim përfshin infrastrukturë në akse nevralgjike të zhvillimit të këtyre bashkive. Fondi i vënë në dispozicion të bëhet efektiv sa më parë. Në maj kemi hyrë në fazën e ezaurimit të fondit të ri për ujitje kullimin”, tha Rama.

Duke folur për fermerët, kryeministri tha se në procesin e grumbullimit mund të përfshihen edhe bashkitë.
“Bashkitë mund të përfshihen si aktorë kryesorë për pikat e grumbullimit. Ka kërkesa të vazhdueshme nga fermerët për pika grumbullimi. Bashkitë mund të ngrenë pika grumbullimi të financuara nga vetëato dhe fermerët. Bashkitë mund të jenë koordinator, nxitës po dhe bashkëpronarë të këtyre pikave të grumbullimit”, u shpreh ai.

Duke u ndalur tek programi i rindërtimit, Rama tha se do të rindërtohen 100 shkolla që janë në gjendje jo të mirë dhe do të ngrihen 10 poliklinika.

“Programi i ri i rindërtimit që ne do të lançojmë shumë shpejt me 3 shtylla, infrastrukturë rrugore, në këtë rast nacionale por që do t’i shërbejë shumë padiskutim bashkive; infrastrukturë rurale dhe turistike dhe këtu bashkëpunimi do të jetë i drejtpërdrejt me bashkitë; infrastrukturë arsimore me rindërtimin e 100 shkollave që janë në gjendje jo të mirë dhe këtu bashkëpunimi me ju është kyç dhe infrastrukturë shëndetësore me ngritjen e 10 poliklinikave në vend dhe e një spitali rajonal në Fier. Do të fillojë në muajt në vijim me projektet e para prioritare që janë të gatshme”, tha Rama.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb