Ish-deputetja e PD Orjola Pampuri me anë të një deklarate për mediat tha se Edi Rama po lë në mëshirë të virusit 70 mijë gra e vajza, që punojnë nëpër fasoneri.

Pampuri thekson se Rama duhet të sakrifikojë vetëm një vjedhje, me qëllim që të mos lërë këta punonjëse në këtë gjendje.

Postimi i Orjola Pampurit:

U informuam se gjendja është shumë e rënduar. Ditë më parë unë kam biseduar me disa prej vajzave dhe grave që punojnë në fasoneri. Erinda, njëra prej tyre më tregoi stresin e jashtëzakonshëm dhe presionin e jashtëzakonshëm në të cilin punon.

Është e padrejtë që qeveria të vendosë me mijëra gra dhe vajza nën presionin e përballjes me sëmundjen 10 orë në ditë pa pushim. Mund të them se ky është një veprim armiqësor ndaj grave dhe vajzave, pasi me stresin e Erindës punojnë të gjitha gratë në Krujë dhe në çdo fasoneri.

Në fasoneritë shqiptare është e pamundur që të krijohen kushtet e duhura për distancimin social, për shkak të mjediseve të vogla. Jo vetëm në Krujë, por në të gjithë Shqipërinë, situata është e njëjtë. Sado që punëdhënësit përpiqen të krijojnë kushtet, kjo është e pamundur. Vetëm një vendim i qeverisë për mbylljen dhe pagesën e tyre e zgjidh problemin.

Të dhënat nxjerrin në pah sesa larg realitetit është qeveria e Edi Ramës dhe sa pak kujdeset ajo për shtresat me të pambrojtura. Duhet theksuar se gratë dhe vajzat në fasoneri punojnë me një pagë minimale. Ato nuk e meritojnë që të diskriminohen nga qeveria.

Pse Edi Rama duhet ta ruajë veten, familjen e tij, gratë e qeverisë së tij, deputetet e tij duke bërë mbledhje online, ndërsa grave dhe vajzave që punojnë në fasoneri u thotë me arrogancë që duhet të shkoni në punë dhe të përballeni me virusin?

Në zonën e Krujës janë në punë 20 fasoneri. Të gjitha bomba me sahat. Duhen mbyllur sot. Aty punojnë rreth 5 mijë gra e vajza nga zonat përreth, prandaj virusi është përhapur me shpejtësi edhe në Kurbin. 60 të prekur brenda pak ditësh është katastrofë.

Vendimi për mbylljen e tyre duhet marrë sa nuk është vonë. Le të sakrifikojë Rama një vjedhje më pak, një favor më pak për klientët e tij. Gratë, vajzat dhe familjet e tyre nuk duhen lënë në dorë të fatit.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb