Kryeministri Edi Rama ju ka kërkuar të gjithë socialistëve të angazhohen seriozisht në procesin e këshillimit kombëtar.

Në mbledhjen e grupit parlamentar, Rama theksoi se deri më 22 shkurt do të jenë shpërndarë derë më derë pyetësorët e këshillimit, ndërsa tha se përfundimet e këtij procesi do të dalin mes javës së fundit të marsit dhe javës së parë të prillit.

Mes të tjerash, Rama zbuloi se është shtyrë edhe data e mbledhjes së Kongresit të PS, nga 29 janari në javën e parë të muajit prill.

“Do të nisë këto ditë në çdo bashki vendosja e pikave publike të këshillimit kombëtar. Shpërndarja e pyetësorëve parashikohet deri më 22 shkurt. Do të ruhet anonimati total. Garantoj se do të ruhet 100% anonimati dhe ky është prioriteti numër një. Neve na mjaftojnë kartonët në Kuvend, por ky proces ka një domethënie, sepse kërkon të dëshmojë vetëdijen që për vendimet nuk mjafton vetëm bindja apo mandati jonë, por duhet edhe opinioni i publikut të gjerë. Këtu vjen edhe medalja tjetër, zgjerimi i harkut të dëgjimit tonë matanë llogores sonë partiake, duke marrë edhe opinionin e atyre që nuk janë votuesit tanë. Ky proces mund të ketë pikëpyetje dhe të meta, ashtu sikundër pa dyshim do të ketë dhe kundërshti e do të marrë racionin e vet të baltës, por unë besoj fort se asnjë pikëpyetje, as në të metat e natyrshme as në kundërshtitë, nuk e ul vlerën e këtij investimi strategjik në funksion të lidhjes së punës sonë me njerëzit.

Por është edhe një përpjekje për të kapërcyer një epokë të zymtë sherresh partiake, duke shkuar direkt te njerëzit, jo vetëm në kohë zgjedhjesh, por për të diskutuar pa dallime politike vendime me rëndësi strategjike për vendin. Me këtë ne japim një mesazh për t’u ngritur mbi batakun e luftërave mbipartiake të pafundme e të padurueshme, që e kanë bërë politikën gogolin e njerëzve. Ne i japim vetes një mundësi të re për t’u afruar më shumë me njerëzit, pa i ndarë ata nëpër llogore, nëpër kampe, pa i dalluar në të majtë e të djathtë, por duke bashkuar zemrat, mendjet e forcat tona me të tyret si shqiptarë. I japim dhe një shans të ri vetë politikës, e cila ka lindur si mundësia e vetme që kanë njerëzit për të diskutuar e zgjidhur probleme, që vetëm si zgjidhin dot kurrë.
Për këto unë kërkoj nga ju që të angazhoheni seriozisht në cdo komunitet, për të inkurajuar sa më shumë përfshirjen e njerëzve, dhe duke dalë nga rrathët e partisë sonë për të krijuar rrathë debati me palët e interesuara, sipas çështjes. Shpërndarja e plotë e pyetësorit derë më derë parashihet deri më 22 shkurt, gjë që e bën realist objektivin e nxjerrjes së përfundimeve të tij mes javës së fundit të marsit dhe javës së parë të prillit, dhe kjo mund të përkojë me mbledhjen e Kongresit të PS.

Me nxitjen e ministres së Shëndetësisë, duke parë dhe shifrat e virusit, vendosëm të shtyjmë datën e mbledhjes së Kongresit më 29 janar. Nuk do të hedhim asnjë hap të nxituar në procesin e këshillimit, i cili do të marrë gjithë kohën e vet. Është hera e parë që e bëjmë dhe ne do të mësojmë sa më shumë, në mënyrë që vitin e ardhshëm ta përgatisim më mirë. Është një ndërmarrje jo e lehtë, por po t’i japim vëmendjen dhe përkushtimin e duhur, besoj që do të marrim një rezultat të kënaqshëm për ne”, u shpreh kryeministri Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb