Kryeministri i vendit Edi Rama ka thumbuar sërish presidentin e vendit Ilir Meta në lidhje me akuzat e këtij të fundit për “ramaformën”.

Duke u shfajësuar Rama tha se ai nuk mund të kapë SHBA-në dhe BE-në ashtu siç akuzohet se ka kapur të gjitha pushtetet në vend. Ai tha ndër të tjera se përballë ka një opozitë të dobët, por kjo nuk do ta ndalë përparimin e reformës në drejtësi.

“As në ëndrrën më të keqe nuk e kam parë opozitën e këtij vendi të katandiset ashtu siç është katandisur. Kjo nuk është sikur fare, është e vështirë të qeverisës me një opozitë që këmbëngul çdo ditë të vrasë veten më shumë se sa të vrasë ty, politikisht me ide, me mendime. Një opozitë inekzistente është një boshllëk që të pengon të bësh punën maksimalisht mirë. Sa i përket pushteteve nëse kam kapur SHBA, BE atëherë…po s’keni ca bëni ju e keni humbur këtë betejë. Të thuash që mund të kapen SHBA apo BE se ka një forcë të errët këto janë qesharake dhe kimikisht shqetësuese. Nuk është çështje frike dhe as trimërie, as çështje Mic Sokalash, por veprash, fjalët në njerën anë, veprat në tjetrën. Unë jam i vendosur të bëj një reformë në drejtësi ku ne të miratojmë çdo gjë që komisioni dhe ekspertiza ndërkombëtare do miratonte dhe do na sillte në tavolinë. Një reformë e vërtetë bëhej vetëm nëse ne nuk fusnim hundët. Janë berë edhe më parë reforma por kjo forcë nuk përzihet me çështjet e drejtësisë. Aty ku hyn drejtësia ne i hapim rrugën. Nuk dal me rroba banje unë e t’i vërsulem Ambasadës Amerikane”, – tha ai ndër të tjera.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: