TIRANE- Në “Panairin e ideve, shkolla qendër komunitare”, kryeministri Edi Rama ka shprehur mbështetjen e qeverisë shqiptare në nxitjen e ideve të reja dhe realizmin e projekteve. Kreu i qeverisë shqiptare është shprehur se transformimi i shkollave është më rëndësi, duke i kthyer ato në qendra komunitare ku përcillen ide novatore dhe nxiten projekte të ndryshme.

“Do të krijojmë një fond të veçantë mbështetje në mënyrë që projektet mos të mbeten peng i burokracive apo vendimmarrjeve të pafavorshme për shkak të mentalitetit. Nëse do të arrijmë ta çojmë drejt e te shkollat këtë qendër komunitare, dhe të mundësojmë financimin e duhur, ky do jetë një revolucion që do sjelle produktet e duhura, dhe do t’i japë një shtysë të fortë kulturës së projektit në Shqipëri”, tha Rama.

Kreu i qeverisë tha se synohet më shumë për nxitjen e të rinjve drejt prezantimit të ideve të tyre, të cilët më pas mund të kthehen në projekte të mëdha.

“Shqipërisë i kushton shumë po kështu dhe të ardhmes mungesa e ideve për projekte. Ndaj sjellja e ideve novatore i bën mirë zhvillimit. Jemi në kushtet ku njerëzit ndjehen të pafuqishëm shpeshherë për të përballuar sfidat e jetës. Edhe të rinjtë e shohin si mundësi vetëm punësimin në shtet, por harrojnë se puna në privat, vënia në jetë e ideve e projekteve është padyshim një mundësi e madhe. E vetmja rrugë për t’ia dalë është kapaciteti për ta zhvilluar në një projekt ëndrrën apo idenë. Ajo që po bëjmë me shkollën komunitare është një hap i parë drejt hapave të tjerë të zhvillimit”, u shpreh Rama.

“Panairi i Ideve-Shkolla si Qendër Komunitare” është panairi më i ri i çelur në mjediset e Muzeut Historik, me pjesëmarrjen e mbi 45 shkollave nga i gjithë vendi, të cilat do të prezantojnë projekt-idetë e tyre për zhvillimin e shkollës.

Nëpërmjet ekspozimit të tyre, panairi i organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me partnerët “UNICEF”, “Save the Children”, “World Vision”, synon nxitjen e përfshirjes së komunitetit, biznesit dhe aktorëve të tjerë në realizimin e këtyre projekteve, si një domosdoshmëri e mëtejshme për përmirësimin e shkollave në vend.

Shkollat që marrin pjesë në “Panairin e ideve”, përmes aktiviteteve dhe projekteve të ndryshme që kanë realizuar gjatë dy viteve, prezantojnë gjithashtu edhe qëllimin dhe filozofinë e projektit të MAS, “Shkolla si Qendër Komunitare”.

Kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministrja e Arsimit Lindita Nikolla vizitoi sot panairin, gjatë të cilit shpërndau edhe çmimet për projektet më të mira.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb