TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë sot në prezantimin e projektligjit për zejtarinë bashkë me Ministrin e Mirëqenies Sociale Erjon Veliaj në prani të sipërmarrësve shqiptarë. Rama deklaroi gjatë këtij prezantimi se kjo maxhorancë trashëgoi një Shqipëri të dërrmuar jo nga varfëria ekonomike por nga varfëria e aspiratave. Kryeministri e ka quajtur këtë lloj varfërie burimin e të gjitha problemeve sociale dhe ekonomike në vend, ndërsa e vuri theksin tek rëndësia e arsimit profesional. Rama tha se sipërmarrësit janë partnerët strategjikë të qeverisë dhe vlerësoi bashkëpunimin me ta.

“Është padyshim gjithmonë kënaqësi dhe këtë nuk e them për formalitet, kur për shkak të punës më jepet mundësia të jem mes njerëzve të punës. Mes atyre që nuk presin tu vijë nga qielli por duke këmbëngulur dhe duke e marrë, mes atyre që janë partnerët tanë strategjikë, sipërmarrësit. Kemi trashëguar një Shqipëri të dërrmuar, jo nga varfëria ekonomike, por në radhë të parë nga varfëria e aspiratave sepse kjo i sjell të gjitha. Varfëria e aspiratave ka bërë që në vend se ndihma ekonomike të shkojë tek ata që e meritojnë dhe të jetë më e lartë, të shpërndahet tek ata që nuk e meritojnë, në formën e një bakshishi politik”, tha Rama.

Kryeministri e ka cilësuar liberalizimin e universiteteve si një prej të këqijave në vend, ndërsa shtoi më tej se qeveria i ka hapur luftë pikërisht varfërisë së aspiratave.

“Varfëria e aspiratave ka bërë që në Shqipëri për vite të tëra të rejave dhe të rinjve tu jepej si i vetmi destinacion i mundshëm universiteti dhe po universiteti tu ofrohej si fabrikë diplomash. Ku paratë e prindërve, të sakrificave të tyre tu shkonin dëm, me synimin se fëmija e tyre do bëhej jurist, inxhinier, por pas diplomimit ngelej i papunë. Ne i kemi shpallur luftë në radhë të parë varfërisë së aspiratave që e ka ushqyer këtë vend me iluzione, me gënjeshtra dhe në fund fare ‘hë mo se Shqipëri është dhe Shqipëria kështu e ka’”, tha Rama.

Ndryshe nga deklaratat e deputetit socialist Blushi, Rama theksoi se qeveria është angazhuar në një operacion të thellë sepse ka vendosur ta shohë të vërtetën në sy.

“Na është dashur të angazhohemi në një operacion të thellë, sepse kemi vendosur ta shohim të vërtetën në sy, na është dashur të përballemi me kancerin e shtrirë në të gjithë sektorët. Kemi vendosur të mos i mbajmë shqiptarët me sheqerin e gënjeshtrave. Arsimi profesional është nja nga drejtimet e duhura. Duke iu hapur të rinjve dhe të rejave një mundësi të re. Një i ri që ka mbaruar arsim profesional ka 20% më shumë shanse se një me shkollë të mesme për punë dhe 1% më shumë se ata me shkollë të lartë, pra janë një hap më shumë”, tha Rama.

Ndërsa Ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj tha se më këtë ligj rregullohet ajo pjesë e punëtorëve që janë të kualifikuar, si dhe sigurohet punësim më i lehtë, duke ndihmuar edhe sipërmarrësit.

“Më vjen mirë që me këtë ligj rregullojmë ata që janë të kualifikuar që janë mjeshtra. Për sipërmarrësit edhe punësimi do jetë me i lehtë. Ligji i zejeve ndihmon sa më shumë njerëz të punësohen dhe të punësojnë”, tha Veliaj.

 

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb