TIRANË- Pas takimit që zhvilloi me Presidentin turk në Tiranë, kryeministri Edi Rama zbardhi disa nga marrëveshjet që priten të arrihen mes dy qeverive. Njëra ndër to sipas Ramës është edhe financimi i sallës së re të Kuvendit të Shqipërisë nga qeveria turke. “Me Presidentin Rexhep Taip Erdogan gjatë vizitës së tij njëditore në Tiranë, ku erdhi OK përfundimtar për financimin e ndërtimit të sallës së re të Kuvendit të Shqipërisë dhe të 25 shtëpive monument kulture në Gjirokastër, si edhe u diskutua mbi ecurinë e projekteve në fushën e zhvillimit rural, sigurisë, shëndetësisë, arsimit e kulturës”,­shkruan Rama në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”.

Ndërsa më tej sqaroi se mbledhja e përbashkët e dy qeverive do të zhvillohet në gjysmën e dytë të vitit dhe do t’u çelë rrugën këtyre projekteve që janë drejt finalizimit. Sipas Ramës bashkëpunimi dhe marrëdhënia strategjike që Shqipëria ka me Turqinë do njohin një nxitje të mëtejshme në një sërë fushash ku në radhë të parë u theksua domosdoshmëria e rritjes së bashkëpunimeve tregtare dhe me radhë e bashkëpunimit në çështje që kanë të bëjnë me sigurinë, zhvillimin rural, arsimin dhe shëndetësinë dhe padyshim edhe me kulturën.

Nga ana e tij, Presidenti turk tha se ndihej si në shtëpinë e tij të dytë në Tiranë dhe se pret konkretizimin e marrëveshjes të iniciuar me qeverinë që në kohën kur ishte kryeministër. “Që kur kemi shkelur në tokën shqiptare ndjehemi si në shtëpinë tonë. Jam shumë i bindur që pas këtij takimi me një mik të afërt dhe shumë të shtrenjtë, zotin. Edi Rama mes Turqisë dhe Shqipërisë do hidhen hapa shumë të rëndësishëm dhe shumë të frytshëm. Marrëveshjen strategjike mes dy vendeve do ta firmosnim kur isha Kryeministër, por nuk arrita ta bëj për shkak të tragjedisë. Tani jam këtu si President i Turqisë, por unë shpresoj që në një kohë sa më të shkurtër dy Kryeministrat ta përmbyllin sa më shpejt këtë marrëveshje”­ deklaroi Erdogan.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: