Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar deputetëve pas mbledhjes së grupit parlamentar të PS në Elbasan t’u kërkojnë llogari vetes papushim dhe të bëhen shembuj për qytetarët.

Rama nuk ka dashur të flasë me emra edhe pse ka pranuar se në PS ka shembuj të mirë deputetësh por ka kërkuar që deputetët të godasin stereotipin e keq për ta.

 

‘’Shpeshherë, për shumë arsye, prirja për të mos e mbajtur parasysh faktin, nderin e madh kthehet në të gabuar. Por çfarë mund të kërkoni tjetër ju, se unë s’kërkoj asgjë tjetër, për t’iu përgjigjur njerëzve, që duhet t’ia qani hallin edhe kur s’ia zgjidhni dot. Çfarë mund të kërkojmë pas 8 vjetësh, në pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv. Për të bërë 7 herë më shumë për këtë vend.

Nga sot e deri ditën kur do paraqitemi para tyre, pse duhet të na votojnë. Një gjë duhet të kërkoni, papushim, llogari vetes. Jam unë ai që i neveris deputetët që i barazojnë me të keqen, i shajnë e i përqeshin, ata gabojnë.

Unë jo thjesht se jam një prej jush, deputet, por ju njoh që nuk e meritoni paragjykimin apo paragjykimet që ka formuar stereotipin e deputetit. Duke u nisur nga raste shumë specifike, por kush dhe si do e godasë këtë stereotip përveç nesh, askush. Ka vetëm një forcë goditëse për atë stereotip, forca e shembullit. Çdo gjë tjetër e përforcon stereotipin.

Sot sështë dita për të folur me emra, dhe shembujt në PS nuk janë pak. Por s’mjaftojnë. Sfida e çdo deputeti. Të bëhet forca e një shembulli që do përballen me të padukshmit, padurimin, hatërmbetjet, me gjithë ndjesitë e brendshme që janë kundërshtarët tanë realë, opozita reale. ‘’- tha Rama.

Kryeministri gjithashtu nuk ka pasur dyshime se nëse zgjedhjet do të ishin këtë të diel, PS do të fitonte. Por sipas tij kjo nuk do të mjaftonte pasi PS nuk do të merrte të gjitha votat që meritonte, por sulmon opozitën duke thënë se në po të njëjtin rast do merrnin më pak vota se 3 vite më parë.

 

‘’Nuk dyshoj se nëse do të votohej këtë të dielë do të fitonim zgjedhjet. Por s’besoj se do fitonim të gjitha zemrat e atyre që na kanë votuar, apo s’na kanë votuar dhe as do e votojnë atë forcë apo grup forcash që na kanë përballë.

Këtë të dielë do merrnim më pak vota se sa do meritojmë. Kurse ata do merrnin më pak se 3 vite më parë. Populli pret shumë më shumë nga ne, dhe asgjë nga ata. Dhe kanë të drejtë. ‘’- shtoi Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: