TIRANË

Kryeministri Edi Rama e nisi fjalën e tij në fushatën përmbyllëse të PS në Tiranë me një përshëndetje për djalin e tij të vogël Zaho, i cili siç tha kryeministri, donte që të ishte i pranishëm në këtë takim, por që nuk e la e ëma, Linda.

“Dua të përshëndes Zahon nga këtu, sepse donte të vinte, po Linda i tha “Zaho ti nuk mund të shkosh, se ti nuk voton’. Zaho tha ‘kur do të votoj unë’. Linda i tha “Do votosh kur të rritesh’. Zaho: Po mirë, kur të rritem, ti do më votosh mua?’”, tha Rama.

Më tej, kryeministri u ndal te patrozhanistët, teksa tha se është krenarë për ta, që nuk heqin dorë nga kjo punë fisnike. Në fjalën e tij, Rama komentoi dhe ngjarjen tronditëse të Elbasanit, ku u vra Pjerin Xhuvani, duke fajësuar opozitën dhe duke iu bërë thirrje shqiptarëve, që më 25 prill të votojnë PS, pasi sipas tij, opozita do ta çojë Shqipërinë në humnerë.

“Unë nuk i fola Zahos për patronazhistët, por sot këtu dua të filloj me patronazhistët, me gjithë vajzat e djemtë, gjithë gratë e burrat, dhe gjithë ata që megjithëse kanë dalë në pension, nuk heqin dorë nga kjo punë fisnike brenda familjes sonë. Dua t’iu them që unë kam qenë gjithnjë krenar për ju, por mbas asaj që ndodhi dje në Elbasan, unë jam më shumë se kurrë krenar për ju. Ata bënë çmos që t’iu lëndojnë, ata bënë çmos që t’iu cenojnë, ata bënë çmos që t’iu dekurajojnë, ata madje bënë çmos që t’iu poshtërojnë, dhe ka Zot, sepse ata që i bënë të gjitha ato kundër jush, dolën zhveshur, po jo si unë zhveshur, se ashtu nuk dalin dot, se kur mendoj zhveshur ata…, por dolën zhveshur në gjithë përmasën e karakterit të tyre, kur pa asnjë pikë turpi, pasi e gjithë Shqipëria u trondit nga humbja e një jete, morën përsipër t’u thonë shqiptarëve se ‘po, ata e kanë një grup të armatosur, të shpërndarë kudo’. Unë besoj që sot kush ende nuk e ka kuptuar diferencën e madhe mes jush dhe atyre, duhet t’i vërë gishtin kokës fort për fëmijët e tij.

Të patronazhosh derë më derë, të trokasësh familje më familje, të pyesësh si shkoni, çfarë problemesh keni, çfarë mendoni ju për qeverisjen, çfarë opinioni keni për PS, çfarë hallesh ju pengojnë për të na mbështetur, do të thotë që çdo njeriu t’i japësh vlerën që ka ai. Të turresh rrugëve, për t’i ndaluar njerëzit, sikur je një forcë nga ato forcat paramilitare në vende, ku thika e urrejtjes është futur deri në kockë, dhe pasi ndalon njerëz të lësh pas edhe viktima, do të thotë që për ty njerëzit janë njerëz vetëm kur futen në autokolonën tënde, ndërsa jashtë saj jeta e tyre nuk ka asnjë vlerë. Ky episod kaq tragjik duhet t’i bëjë gjithë shqiptarët të zgjohen dhe të kujtojnë se çfarë i kanë bërë Shqipërisë prej 30 vjetësh po këta, të zgjohen e të kujtojnë se në çfarë humnerash e kanë hedhur këta Shqipërinë, të zgjohen e të kujtohen sa herë ka pasur humbje jetësh, plagë të shkaktuara, që lidhen me ta. Më 25 prill Shqipëria duhet të çlirohet nga demoni, që sa herë shfaqet në jetën tonë, ja tërheq këmbët poshtë Shqipërisë”, theksoi kryeministri Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb