Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë pasdite një takim me operatorët turistikë të Durrësit, ku po foli për sezonin e ri turistik, por edhe për projektet që janë në zhvillim e sipër nga qeveria.

Kështu, kryeministri tha se sot është diskutuar për projektin e madh të ndërhyrjes në zonën historiko-arkeologjike të Durrësit, pikërisht tek amfiteatri, ku sipas tij, do të ketë një transformim të rëndësishëm në të gjithë lagjen përreth.

“Do të rrisim mundësitë e të gjithë operatorëve turistikë për të pasur një masë më kritike klientësh që kërkojnë të vijnë e të akomodohen në strukturat tona. Ne sot kemi diskutuar për projektin e madh të ndërhyrjes në zonën historike arkeologjike të Durrësit, ku faktikisht kemi një numër të konsiderueshëm vizitorësh për amfiteatrin. Por, jemi larg arritjes së maksimumit dhe kemi arsyet të besojmë se me ndërhyrjet që kemi planifikuar dhe me rrjetin e aktorëve që janë përfshirë, do të bëjmë një transformim të rëndësishëm.

Restaurimi i mureve ka nisur, në kuadrin e projektit të adresimit të pasojave të tërmetit nga mbështetja financiare e BE, jemi në një fazë të avancuar të projektit për amfiteatrin dhe lagjen përreth, ku janë një numër godinash të vjetra, që i shohim si një aset shumë i vlefshëm në funksion të kthimit të asaj lagjeje në një lagje të vjetër historike e turistike. Do të ndodhë një spostim shumë i rëndësishëm, ai i largimit të portit tregtar nga zemra e qytetit. Edhe projekti për shëtitoren e re, që do të përshkojë plazhin e Durrësit dhe do iu vijë në ndihmë të gjithë operatorëve turistikë dhe vizitorëve, jam i bindur që krijojmë një platformë të re zhvillimi, sa i përket turizmit.

Të mos harrojmë edhe faktin që Durrësi ka qenë jashtëzakonisht i penguar në zhvillimin e tij të turizmit dhe në tërheqjen e më shumë turistëve, sidomos të atyre kategorive që janë turistë që shpenzojnë më shumë, edhe si pasojë e një nami të tmerrshëm që ka pasur, për shkak të vatrës kancerogjene të plehrave të Porto Romanos. Tanimë kjo i takon të shkuarës, pasi ne po i japim formë një ekoparku të madh, që do të ofrojë mundësi për të gjitha moshat. Përtej ekoparkut, edhe fakti që Durrësi bëhet një qytet me një park të prodhimit të energjisë së diellit, falë investimit të kompanisë franceze, edhe fakti që Durrësi bëhet një qytet ku ndërthuren në mënyrë shumë të veçantë e shkuara, e sotmja dhe e ardhmja me kaq shumë aspekte të profilit të vet dhe sidomos si rezultat i vendosjes në hartën e Mesdheut të një prej porteve më të mëdha turistike, janë në ndihmë të punës suaj.

Është fakt që në këtë periudhë janë më shumë se trefishuar investimet në strukturën hoteliere të vendit. Kemi sot mbi 3 fishin e strukturave akomoduese. E shoh me shumë optimizëm që kërkesat për të ndërtuar hotele në vijën bregdetare nuk pushojnë. Kërkesa të investitorëve të brendshëm. Çka do të thotë që po shkojmë në drejtimin e duhur në këtë aspekt. Është shumë e qartë se përderisa tregu po shtyn shumë në këtë drejtim, kjo do të thotë që gjërat janë vënë në vendin e duhur, sa i përket bazës zhvillimore”, tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb