Kur Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave e propozoi mbylljen e Akademisë Albanologjike, rektori i akademisë dhe drejtuesit e instituteve Kundërshtuan dhe vijuan takimet me Ministrinë e Arsimit dhe presidencën duke argumentuar pse kjo nuk duhej lejuar.

Në anën tjetër, kreu i akademisë së Shkencave, Gjinushi, refuzoi ta quante mbyllje, por parapëlqeu fjalën shkrirje. Me daljen e draft VKM-së, nuk ka më gjë të paqartë- shkrirja është asgjësim.

Pas publikimit ne News24 të premten të draft VKM-së që mbyll Akademinë e Studimeve Albanologjike, senati I kësaj të fundit doli këtë të shtunë në një konferencë ku bëri me dije, shkeljet ligjore të VKM-së dhe efektet katastrofike në shkencë. Si të tilla, Valter Memisha, Zv.Rektor i ASA-s përmend 45 marrëveshje ndërkombëtare të Akademisë Albanologjike, shkatërrimin e instituteve që kthehen në njësi dhe lirinë akademike.

Me mbylljen e instituteve me përvojë 70-vjeçare, VKM-ja sjell si efekt zinxhir pushimin nga puna të 100 studiuesve me grada shkencore, doktor shkencash, profesor i asociuar dhe profesor doktor, aktualisht të punësuar në institutet e Gjuhës, Letërsisë, Historisë, Arkeologjisë, Antropologjisë dhe departamenteve të tyre.

Relacioni shoqërues i VKM-së nga ana tjetër vëren se Akademia Albanologjike që sipas statutit të miratuar nga Ministria e Arsimit në vitin 2018 është qendër universitare, nuk është akredituar ndërsa rektori Luan Përzhita sqaron.

“Për ne VKM-ja është e papranueshme. Ne na është miratuar statuti nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, në vitin 2018, me të njëjtin ligj të arsimit të lartë që kemi tani. Unë nuk di që ligji ka ndryshuar, atëherë pse në vitin 2018 ishim në rregull e ani nuk jemi? Çfarë ka ndryshuar? Ka një tendencë që nuk e kuptoj nga vjen. Nuk jemi akredituar, është e vërtetë por ndërkohë janë 90% e universiteteve në vend pa akredituar si ne dhe kemi letërkëmbimin me Ministrinë e Arsimit për procesin dhe kërkesat tona”, tha Luan Përzhita.

Për më tej, Akademia Albanologjike thotë se nuk ka marrë shkresa zyrtare për VKM-në nga ministria e arsimit ndonëse mban autorësinë e 50 monografive në vit, mijëra faqe dokumente e arkiva janë asete, fati i të cilave bëhet i paqartë.

“Ka një shprehje popullore për të zotin e Shtëpisë që nuk di asgjë dhe dasmën në anën tjetër. Ne nuk jemi njoftuar zyrtarisht. Unë vetë e kam marrë vesh dje”, tha rektori Përzhita, duke shtuar se “asetet nisin nga arkivat te artefaktet arkeologjike, skedat gjuhësore, etj”

Gjuhëtarja Ledi Shamku që punon në Institutin e Gjuhësisë, ish deputete vëren se me këtë vendim do humbasim shkencëtarët dhe do fitojmë gjithologët.

  • foto galeri

“Po i thërras kujtesës sime sa i takon ligjit për Arimin e Lartë që u miratua në 2015, kohë kur isha deputete dhe e kam kaluar nëpër duar. Njësi ai ligj kishte një meritë, ishte bashkimi i shkencës me formimin e brezave të albanologëve. Me këtë VKM do të kemi vetëm mësues dhe pellazgologë. Ajo që Akademisë së Shkencave i mungon janë burimet njerëzore të cilat Akademia Albanologjike i ka asete dhe Akademisë së Shkencave, nga tri projekte madhore që kishte, dy i kanë dështuar, i treti është rrugës, ndaj i duhen studiuesit e ASA-s”, thotë Shamku.

Pavarësia dhe qasja shkencore, liria e shkencëtarëve dhe demokracia ne vendimmarrje janë shqetësimi kryesor për mbylljen.

“Akademia e Shkencave do të thotë centralizim, pasi vendimet i merr Gjinushi dhe kryesia e Akademisë, pra kryetari. Ndërsa Akademia Albanologjike, ka demokracinë vendimmarrje dhe centralizimi e shkatërron”, shton Shamku.

Për Nebi Bardhoshin, drejtor i Institutit të Antropologjisë Kulturore, “VKM-ja që mbyll Akademinë Albanologjike, është nënshtrim i dijes, pasi punonjësit shkencorë do të duhet të kërkojnë punë, të jenë të trembur dhe me punësime të përkohshme do jenë të nënshtruar ndaj diktatit”.

Dikush mund të kujtojë faktin që kreu i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, citoi shkrimin e një “autoriteti shkencor” -një njeri që në fakt nuk ekzistonte dhe që ishte kurth i një reviste online, kujtojmë rastin Caruana. Por, jo. Më shumë se kjo, punonjësit shkencorë i shqetësohen të shkuarës së Gjinushit, ish ministër Arsimi në kohën kur Sekretar i parë i Partisë Komuniste ishte Ramiz Alia, i përjetësuar ky pozicion në takimin e Ramiz Alisë me studentët e grevës së 90-ës.

“Kryetari i Akademisë (Skënder Gjinushi) është nostalgjik i kohës së sovjetëve dhe i akademisë së kohës së komunizmit. Këtë e ka bërë të qartë në të gjithë përvjetorët”, thotë Bardhoshi.

Çfarë ndodh me këtë VKM? Nëse dikur Akademia e Shkencave i kishte pjesë integrale institutet, prej 2008-ës ajo është kthyer në një institucion honorifik ku ata që mbajnë titullin akademik, nuk janë më kërkues shkencorë. Vetë titulli jepet për kontributet që kanë pasur në karrierë. VKM-ja nuk i njeh më institutet shkencore por njeh vetëm njësi nën Akademinë e Gjinushit dhe vetë termi nënkupton një pjesë. Se si mundet një njësi të jetë më e rëndësishme se një institute kjo mbetet e paqartë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb