PRISHTINE- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj priti në takim lamtumire, shefen e Zyrës greke në Kosovë, Konstantina Athanassiadou, të cilën e falënderoi për kontributin e dhënë gjatë misionit të saj në Kosovë dhe i shprehu vlerësimet e qeverisë për rolin e Greqisë në ndërtimin e marrëdhënieve bilaterale.

“Integrimi në strukturat euroatlantike është prioritet i institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës dhe mbështetja e Greqisë në këtë fushë është e nevojshme”, tha kryeministri Haradinaj, duke kërkuar nga Greqia njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe vazhdimin e partneritetit ekonomik e diplomatik.

Shefja e Zyrës greke në Kosovë, Konstantina Athanassiadou, theksoi se qasja konstruktive e Greqisë karshi Kosovës do të vazhdojë, si rezultat i bashkëpunimin korrekt me të gjitha institucionet në vend.

Kryeministri Haradinaj dhe shefja e zyrës në largim e Greqisë, Athanassiadou, u dakorduan për angazhim të përbashkët për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Greqisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb