Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se institucionet e Kosovës janë të vendosura që të parandalojnë çdo përhapje të ideologjive ekstremiste që kanë potencial të kalojnë në terrorizëm.

Haradinaj i bëri këto komente në Konferencën për Sigurinë Globale që po mbahet në Tiranë.

Në një komunikatë për media nga Qeveria e Kosovës thuhet se kryeministri foli rreth rolit konstruktiv dhe kontributit të Republikës së Kosovës në bashkëpunimet rajonale dhe më gjerë, në funksion të krijimit të paqes dhe stabilitetit.

Haradinaj citohet të ketë thënë se “komunitetet fetare dhe udhëheqësit fetarë do të vazhdojnë të jenë një nga partnerët më të rëndësishëm në luftën kundër mesazheve të ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm”.

“Ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizmi janë dukuri, të cilat nuk e kanë një atdhe, nuk e kanë një lokacion të caktuar, por paraqesin rrezik për botën bashkëkohore, për njerëzimin, për paqen dhe sidomos për njerëzit e pafajshëm”, tha Haradinaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb