Stefan Pinguli, kryetar i Shoqatës së Prodhuesve të Birrës, njëkohësisht administrator i “Birrës Stela”, i ftuar në emisionin “Përballje” në televizionin “SCAN”, u shpreh se bizneset e birrës kanë tre vjet që nuk janë rimbursuar për akcizën. Ndërkohë, këshilltarja e kryeministrit, Irena Beqiraj deklaroi se rimbursimi i akcizës do të nisë shumë shpejt dhe disa biznese e kanë marrë atë.

Cila është ndjesia juaj për sa i përket klimës së të bërit biznes në Shqipëri?
Sigurisht që, çdo gjë e mirë ka nevojë edhe për t’u zënë në gojë, sepse të jep një ndjesi pozitive, por duke pasur parasysh se duhet të ecim përpara, duhet bërë edhe pak oponencë. Në ekonomi i rëndësishëm është trinomi konsumator-biznes-shtet. E keqja këtu është se shteti ka marrë në dorë frenat e këtij trinomi. Ligjet për konsumatorin i ka marrë në dorë shteti, sepse këtu s’ka asnjë sindikatë. Edhe frenat tona, frenat e biznesit i ka marrë në dorë shteti, sepse ne themi jemi vetëdeklarues dhe i bëjmë ato, por i bëjmë sipas kërkesave të shtetit dhe ata na vlerësojnë. Shteti kontrollon çdo gjë në sektorin privat. Për të qenë liberal, duhet pasur një shtet të vogël me një organizim më të vogël dhe një treg më të lirë.

Qëndrueshmëria fiskale është e rëndësishme për biznesin. Mbi 103 ndryshime fiskale janë miratuar vetëm në tri vitet e fundit. Si ndikon kjo në klimën e biznesit?
Është një shprehje e të majtëve “Para se të bëhet revolucioni, duhet situatë revolucionare”, dhe kjo vlen edhe për reformat: Para se të bësh reformë, duhet përgatitur terreni. Këtu u mor përsipër të bëhet një reformë dhe u morën ca masa që ne i kemi vuajtur shumë.

Ndërsa, në lidhje me raportin “Doind Business”, unë nuk e perceptoj dot përfundimin e këtij raporti, është çështje perceptimi. Ne si biznese, në qytete të vogla që shesin pak më shumë, ndoshta edhe 100 kg më shumë, që është një kërcim i vogël, ne themi që “jemi mirë në këtë qytet”. Ndërsa, në lidhje me taksat unë do të thosha që, përpara se të vëmë një rregull mbi taksat, duhet bërë një vlerësim se sa mundësi ka konsumatori të blejë, sa është fuqia blerëse në vend.

Ne kemi një shtet me 78% të popullsisë të varfër. Në rast se një komb është 78% i varfër, kjo do të thotë se ti duhet të kesh taksa të ulëta; jo shtrëngesë, por liberalizim. Është për të qeshur dhe qarë që të fusësh në burg një njeri për një kupon. Po them në parim. Unë mendoj se ka nevojë për një hapësirë në mes, e cila ndihmon tregun të ulë çmimet, të xhirojë më shumë kapitale, dhe shteti të marrë më shumë taksa.

Çfarë duhet të bëjë qeveria për të përmirësuar klimën e biznesit?
Unë desha të përqendrohem te anët që duhet të përmirësojmë në raportin e klimës së biznesit. Në industrinë e birrës kemi disa probleme. Ne flasim shumë për proteksionin, ne nuk kërkojmë proteksion, por kërkojmë zbatim të ligjit. Ne paguajmë akcizë dhe prej tre vjetësh nuk marrim rimbursimin e akcizës, dhe ata nuk na japin një arsye të qenësishme.

Qeveria e merr akcizën tonë me “dhunë”, që do të thotë, unë duhet të paguaj se më mbyllin biznesin, ndërsa neve nuk na e japin rimbursimin sepse nuk kemi “ushtarë” t’i çojmë te qeveria që t’ia çojmë të marrim rimbursimin. Një tjetër problem është taksa për ambalazhin. Ne kemi taksën 10-fish më të lartë se Italia, dhe kur ne eksportojmë, e kemi të vështirë të marrim rimbursimin për plastiken dhe shishen, që është ambalazhi që ne përdorim.

Një element juridik ku ne hasim probleme është se ne dënohemi nga doganat dhe tatimet për një problematikë, kush na e kontrollon e kemi të drejtë, prapë taksat na kontrollojnë. Ata asnjëherë s’na thonë se kemi të drejtë. Këtu ka konflikt interesi. Këto janë gjëra që duhen përmirësuar.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb