Media shtetërore e Koresë së Veriut ka pohuar se jetimët përdoren si vullnetarë për të punuar në miniera dhe ferma të drejtuara nga shteti.

Agjencia Qendrore e Lajmeve Koreane (KCNA) tha se qindra fëmijë “me mençuri dhe guxim në kulmin e rinisë së tyre” kanë zgjedhur të kryejnë punë vullnetare për shtetin. Moshat e tyre janë të paqarta, por fotot sugjerojnë se ato janë në adoleshencë, shkruan BBC.

Grupet e të drejtave të njeriut kanë akuzuar prej kohësh Korenë e Veriut për përdorimin e punës së detyruar të fëmijëve, diçka që shteti e mohon.

Në shkurt, BBC raportoi mbi pretendimet se të burgosurit e luftës të Koresë së Jugut po përdoren si skllevër në punë në minierat e qymyrit të Koresë së Veriut për të gjeneruar para për regjimin dhe programin e tij të armëve.  Rreth 26 milionë njerëz mendohet të jetojnë në Korenë e Veriut, e cila drejtohet nga një qeveri me kontroll të fuqishëm mbi të gjitha pjesët e jetës së njerëzve.

Në prill, udhëheqësi Kim Jong-un paralajmëroi vendin e tij të përgatitej për kohë të vështira përpara një “mali me probleme”. Koreja e Veriut mbylli kufijtë e saj në 2020 për shkak të pandemisë së koronavirusit, duke mbyllur tregtinë me Kinën – shpëtimin e saj ekonomik. Disa raporte në mediat shtetërore gjatë javës së fundit thonë se të ashtuquajturit vullnetarë po punojnë në punë fizike në të gjithë vendin.

Të shtunën, një raport i KCNA tha se 700 jetimë ishin bërë vullnetarë për të punuar në fabrika, ferma dhe pyje. Dhe të enjten, KCNA njoftoi se “dhjetëra fëmijë jetimë nxituan për tek kompleksi i minierave të qymyrit në zonën Chonnae për të përmbushur betimin e tyre për të shlyer vetëm një të miliontën e dashurisë që partia tregoi”.

Raporti i departamentit të shtetit 2020 të SHBA mbi praktikat e të drejtave të njeriut akuzoi Korenë e Veriut për praktikimin e “formave më të këqija të punës së fëmijëve”. Sipas raportit, zyrtarët ndonjëherë dërgojnë nxënës të punojnë “për të ndihmuar në përfundimin e projekteve të veçanta, të tilla si heqja e borës në rrugët kryesore ose përmbushja e qëllimeve të prodhimit”

Ai gjithashtu tha se fëmijët e moshës 16 ose 17 vjeç “ishin regjistruar në brigadat rinore të stilit ushtarak për periudha 10-vjeçare” dhe vuanin nga “dëmtime fizike dhe psikologjike, kequshqyerje, rraskapitje dhe probleme të rritjes fizike si rezultat i punës së detyruar të kërkuar “.

Koreja e Veriut ka mohuar vazhdimisht këto akuza. Në fillim të këtij muaji vendi akuzoi Presidentin e SHBA Joe Biden për një “politikë armiqësore” ndaj Koresë së Veriut, ndërsa ai përgatitet të vërë në punë strategjinë e re të SHBA për t’u marrë me Pyongyangun dhe programin e saj bërthamor.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb