Sezoni i ngrohjes ende nuk ka filluar plotësisht, ndërsa Shkupi tashmë është në mesin e dhjetë qyteteve më të ndotur në botë. Në dy ditët e mëparshme, në krye të listës alarmante të ndotjes në vend  ishte Kumanova, ku grimcat PM 10 ishin 35 herë mbi normën e lejuar, me mbi 1800 mikrogramë për metër kub.

Autoritetet lokale në Kumanovë thonë se arsyeja e ndotjes së madhe atje është spitali që përdor mazut për ngrohje. Komuna njoftoi se menjëherë kanë filluar me aerosolizimin si masë urgjente për të zvogëluar ndotjen ndërsa ka kërkuar nga pushteti qendror të ndajë fonde për gazifikimin e plotë të spitalit.

Nga Ministria e Mjedisit thonë se janë ndërmarrë masa, ndërsa më shumë informacione paralajmëruan për të hënën. Ministri resor, megjithatë, të shtunën tha se për të zgjidhur problemin e ndotjes duhet kohë dhe masa afatgjate.

Ka plan, për këtë s’ka dyshim, të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm për faktin se ky problem nuk mund të zgjidhet përnjëherë, por se me strategji afatgjatë. Të gjithë bashkë duhet të punojmë për ta zvogëluar ndotjen e ajrit, e dimë që do të na duhet kohë sepse shumë faktorë kontribuojnë për këtë, ngrohja e amvisërive, efikasiteti energjetik, makinat në transport, industria kontribuon në këtë drejtim dhe duhet të ndërmarrim masa dhe rregullativa. Do të vazhdojmë të punojmë për të arritur rezultate- deklaroi Naser Nuredinim, Ministër i Ambientit Jetësor.

Problemi me ajrin e ndotur intensifikohet çdoherë gjatë periudhës së dimrit. Vitin e kaluar, pushteti miratoi masa parandaluese gjegjësisht transporti publik ishte falas, u shtrenjtua për dyfish çmimi i parkingjeve, u stopuan të gjitha punimet ndërtimore si dhe u kufizua përdorimi i automobilave zyrtar të institucioneve të shtetit.

Alsat

https://youtu.be/w4xoAkw7Wkw

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb