TIRANË

Në një lidhje të drejtpërdrejtë për News24, kreu i KQZ Ilirjan Celibashi komentoi raportin final të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 25 prillit.

Pavarësisht leximit të ndryshëm që iu bë këtij raporti nga partitë politike, Celibashi theksoi se të gjitha palët duhet të pranojnë gjetjet e këtij raporti me qëllim që të mos ketë elementë negativë në zgjedhjet e ardhshme.

“Duhet të pranojmë, që të gjithë ne e kemi zgjedhur ODIHR dhe misionin ndërkombëtar të vëzhgimit si arbitrin e zgjedhjeve kështu që mendoj të gjitha palët, politike apo institucionale, do të duhet që në këtë rast t’i pranojmë gjetjet e këtij raporti.

Sa i takon KQZ-së, mendoj që fokusi që ka patur raporti sa i përket administrimit të zgjedhjeve, ka pasqyruar në mënyrë realiste gjithë atë c’ka ka bërë KQZ në kudër të administrimit të procesit zgjedhor. Natyrisht që partitë politike kanë këndvështrimin e vet në këtë raport dhe nuk do dëshiroja të komentoj deklaratat e tyre. Të gjitha vëretjet dhe konstatimet negative që ky raport përmban, janë ashtu sikurse raporti i përshkruan ajo cka mbetet e rëndësishme është që të gjitha palët ta lexojnë ashtusikurse duhet lexuar apo ta pranojnë dhe vetëm kështu do adresojmë në mënyrë të përshtatshme për të ardhmen dhe për të eleminuar gjithë problematikat dhe për të mos patur elemente negative në zgjedhjet e ardhshme.

Ka munguar presioni qoftë politikë, apo i cdo lloj natyre tjetër në institucionin e KQZ në një lloj mënyre mund të them që KQZ ka punuar qetë në administrimin dhe përgatitjen e këtyre zgjedhjeve, në dallim të qartë nga ajo retorikë e ashpër politike që palët kanë patur në diskursin e vet politik dhe elektoral. Kur ka qenë cështja e bashkëpunimit për procesin zgjedhor, reflektimi ka qenë krej ndryshe dhe kjo e ka ndihmuar KQZ që të përgatisë këtë proces zgjedhor në përputhje me të gjitha parashikimet e ligjit. Në tërësinë e vet, klima e ashpër politike si rrallëherë në këto 30 vite nuk është se kontribuoi pozitivisht në tërësi për procesin zgjedhor.” theksoi Celibashi.

Sa i takon shqetësimit të ngritur në raport lidhur me votën e emigrantëve, celibashi u shpreh se ashtu sikundër konstatohet në raport, ky është një shqetësim edhe për KQZ apo edhe vetë për partitë politike, pavarësisht akuzave që adresojnë ndaj njëra tjetrës.

“Koha që kishtë në dispozicion KQZ për ta përgatitur procesin e votimit të emigrantëve ishte e pamundur dhe nuk është se ne na mungoi vullneti e dëshira, por në një kohë aq të shkurtër dhe kur palët nuk kishin një konsensus për rregullat që KQZ duhet të miratonte në këtë proces, ne nuk kishim se cfarë të bënim më shumë.”- vijoi më tej Celibashi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb