Bardhyl Mahmuti
Në funksion të kësaj strategjie, Sigurimi Shtetëror i Serbisë përgatiti materialin e titulluar “Libri i Bardhë: Terrorizmi i separatistëve shqiptarë në Kosovë dhe në Metohi” , të cilin e botuan të përkthyer në gjuhën angleze dhe në gjuhën frënge, në shtator të vitit 1998. Këtë material propagandistik Ministria e Punëve të Jashtme, e asaj që kishte mbetur nga Jugosllavia, ua shpërndau falas institucioneve me peshë në marrëdhëniet ndërkombëtare, institucioneve shtetërore të shteteve anëtare të OKB-së, mediave ndërkombëtare, bibliotekave universitare dhe personaliteteve me peshë në fusha të ndryshme intelektuale.

Versioni i këtij «Libri të Bardhë» u ribotua nga regjimi i Milošević-it në vitin 1994 dhe në vitin 2005 , ndërsa në vitin 2001 dhe 2003, i plotësuar dhe i modifikuar në përputhje me ndryshimin e konteksteve politike ndërkombëtare, u publikua nga regjimi i “ri” i Beogradit.

UÇK-ja dhe “ideologjia marksiste-leniniste”
Sado e pabesueshme t’i duket dikujt që një grup i caktuar të stigmatizohet në të njëjtën kohë si “fondamentalist islamik” dhe si i majtë ekstrem i tipit stalinist të Enver Hoxhës, pra ekstremist fetar dhe ithtar i ideologjisë që kishte ndaluar besimin fetar në Shqipëri, teksti i përgatitur nga shërbimet sekrete jugosllave dhe serbe kundër UÇK-së është shembull i këtij “paradoksi propagandistik”

. Për ta përforcuar idenë e përkatësisë ideologjike të ekstremit të majtë, më shumë se gjysma e «Librit të Bardhë», botimi i vitit 1998, i kushtohet influencës ideologjike të Shqipërisë së periudhës komuniste te udhëheqësit e UÇK-së në Kosovë. Në përputhje me këtë qëllim, një rol tepër i rëndësishëm iu vesh Shërbimit Sekret të Shqipërisë. Që ky rol të jetë i besueshëm për lexuesit e painformuar, arsenali propagandistik serb “zbuloi” njeriun kyç të Sigurimit shqiptar, Xhavit Halitin , si ndërlidhje me UÇK-në. Në vijim do të ndalem shkurtimisht në rastin e Xhavit Halitit, sepse është domethënës për ndikimin e gënjeshtrave të përpiluara në laboratorët e propagandës serbe dhe të përçuara nga “sinapsat” e lartpërmendura të këndvështrimit ideologjik të «antiamerikanizmit». E shoh të udhës të informoj lexuesin, në mënyrë “telegrafike”, se Xhavit Haliti është i lindur më 8 mars 1956 në fshatin Novo Sellë të Pejës, në Kosovë. Në vitin 1981, si student i Universitetit të Prishtinës, u arrestua për pjesëmarrje në demonstrata. Në vitin 1983 u detyrua të shkonte në shërbimin ushtarak.

U arrestua për motive politike dhe u dënua me një vit e gjysmë burg. Pas vuajtjes së dënimit u kthye në Kosovë. Në nëntor të vitit 1985, pas fushatës së arrestimeve që ndërmorën forcat policore serbe kundër veprimtarëve të rezistencës, Xhavit Haliti u detyrua të kalonte në klandestinitet dhe në mars të vitit 1986 u largua nga Kosova dhe kërkoi strehim politik në Zvicër. Ky sqarim i shkurtër është më shumë se i domosdoshëm, sepse në shkrimet e atyre që kanë rënë nën ndikimin e propagandës serbe, “prapa emrit të rrejshëm të Xhavit Halitit fshihet një nga mendjet kryesore të UÇK-së, që vjen nga veriu i Republikës së Shqipërisë dhe njeri i Shërbimit Sekret Shqiptar (Sigurimi).”1 Christophe Chiclet-i dhe Kolë Gjeloshaj nuk janë të vetmit që shpërndajnë gënjeshtrat e sajuara nga Shërbimi Sekret Serb. Kështu, Pierre Arnold-i, Kolonel Lejtenant, hulumtues në Qendrën Strategjike Evropiane për Siguri Inteligjente, plasoi gënjeshtrën se gjoja në të kaluarën “Xhavit Haliti kishte qenë shef i Shërbimit Special i Tiranës (Sigurimit)”.2 Ndërsa për Xavier Raufer-in dhe Stéphane Quéré-në “Xhavit Haliti (…) gjatë kohës së regjimit stalinist në Shqipëri kishte qenë këshilltar i Enver Hoxhës, ndërsa sot është i lidhur me shërbimet e veçanta dhe me qeverinë e Tiranës.”3 Përveç historianëve, sociologëve, kriminologëve, gazetarëve dhe analistëve të ndryshëm që shpërndanin gënjeshtra për udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të UÇK-së, të njëjtën gjë e bënë edhe disa “shërbime inteligjente” të shteteve perëndimore! Po përmend dy raporte që janë publikuar në internet dhe që shërbejnë si referencë për një numër të madh autorësh: «Raporti sekret informativ i KFOR-it amerikan dhe i NATO-s» 4 dhe «Raportin e Shërbimit Sekret të Gjermanisë (BND-së)» 5 .Sa i përket disa aspekteve tjera të këtyre raporteve, të cilët citohen shumë shpesh nga autorë të ndryshëm, do të flas më poshtë. Tani po kufizohem vetëm në informatat që përmbajnë për Xhavit Halitin. Pos disa të dhënave që publikohen në funksion të rritjes së besueshmërisë së raportit, si numri i telefonit i Xhavit Halitit, adresa e tij, pjesëmarrja në tubime publike të Partisë Demokratike të Kosovës, anëtar kryesie i së cilës ishte, gati të gjitha informatat e tjera ishin informata të nxjerra nga «Libri i Bardhë», botimi i vitit 2003.

Madje, “Raporti sekret informativ i KFOR-it amerikan dhe i NATO-s” shkoi aq larg sa edhe fotografinë e Xhavit Halitit e kishte marrë nga ky botim i “librit të bardhë” ! Me të vetmin ndryshim se versioni elektronik i librit të përpiluar nga Shërbimi Sekret Serb është “bardh e zi”, ndërsa në Raportin e “KFOR-it amerikan” Xhavit Haliti paraqitet me “ngjyra”! Ndoshta kjo metodë mund t’i kursejë nga akuza për “plagjiaturë” ose nga përdorimi i teknikës “copy-paste” të “mbledhjes” së informatave!

Edhe në këtë raport, që pretendon të jetë i “mirinformuar”, Xhavit Haliti vihet në lidhje me Shërbimin Informativ Shqiptar (SHISH) dhe me Sigurimin, strukturë që i parapriu SHISH-it. Por, për nga funksioni ai vihet në një shkallë të ulët! Në faqen 6 të këtij raporti, në pikën 5.4 të tij, theksohet se Xhavit Haliti, para luftës së Kosovës, kishte qenë truprojë dhe shoqërues i Fatos Klosit, shefit të Shërbimit Informativ Kombëtar të Shqipërisë! Të njëjtat informata i publikoi edhe Raporti i lartpërmendur i Shërbimit Sekret të Gjermanisë në faqen 7, në pikën 2.1. Këto gënjeshtra të kamufluara si “informacione sekrete” por, që shpërndahen falas edhe përmes internetit, kanë mundësi të “shiten si të vërteta” te lexuesit e vendeve të huaja, të cilët nuk e dinë se fizikani i njohur i Shqipërisë, Fatos Klosi, para luftës së Kosovës ka qenë profesor universiteti dhe pas përfundimit të funksionit drejtues në kuadër të Shërbimit Informativ Shtetëror, në vitin 2002, iu kthye Katedrës së Fakultetit të Shkencave të Natyrës1 . Praktikisht, para se të shpërthente lufta në Kosovë, as Xhavit Haliti e askush tjetër nuk ka mundur të jetë “truproje dhe shoqërues” i Fatos Klosit në funksionin që nuk e ka pasur! Në cilësinë e profesorit universitar ai më së paku ka pasur nevojë për “truproje apo shoqërues”. Mund të sjell me dhjetëra citate të kësaj natyre që nxjerrin në shesh manipulimin me njerëzit që nuk e dinë se Xhavit Haliti as ka lindur në veri të Shqipërisë, as ka qenë në Shqipëri para se të vdiste Enver Hoxha e as ka pasur moshën për të qenë këshilltar i Enver Hoxhës. Nga mosha 20-vjeçare, kur u regjistrua në Universitetin e Prishtinës (1976) e deri në vitin 1986, kur u detyrua të largohej nga Kosova, Xhavit Haliti ka qenë vazhdimisht në aktivitet kundër regjimit të Beogradit dhe i përndjekur prej tij. Enver Hoxha vdiq më 11 prill 1985. Sikur t’i dinin këto të dhëna, nuk e përjashtoj mundësinë që manipuluesit e lartpërmendur dhe të llojit të tyre, të hidhnin hipotezën se “diktatori i Shqipërisë vdiq nga mërzia se nuk e kishte parë asnjëherë këshilltarin e tij!” / Mashtrimi i Madh/

300858578 377117417948270 2851094972246525046 N 1024x536
300858578 377117417948270 2851094972246525046 N 1024×536

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb