TIRANE- Kreditë e pakthyera në afat në banka kanë shënuar një rritje të fortë në muajin korrik, duke u ngjitur në 21.15%, duke u zgjeruar me të paktën tri pikë përqindje në raport me fundin e 2015-ës”. Të dhënat janë bërë të ditura nga Banka e Shqipërisë. Edhe në raport me një muaj më parë, huatë e pakthyera në afat janë shtuar me 1.2 pikë përqindjeje. Në dhjetor të vitit të kaluar, treguesi i huave që nuk janë kthyer në banka të paktën për tre muaj (NPL) shënoi një rënie të fortë, duke zbritur në 18.22%, nga 22.8% që kishte qenë në dhjetor 2014.

Por, më shumë se përmirësim të ecurisë së bizneseve dhe rritje të aftësisë së tyre paguese, kjo ulje reflektonte fshirjen e kredive me probleme, që kishin të paktën tre vjet që nuk ktheheshin, nga bilancet e bankave.

Sipas burimeve nga Banka e Shqipërisë u fshinë rreth 23 miliardë lekë. Rënia e stokut të kredisë në korrik nga ana tjetër, është një tjetër element që ka ndikuar në përkeqësimin e NPL-ve. 65% e totalit të portofolit të kredive me probleme zotërohet nga 36 kompani të mëdha, teksa në këtë listë së fundi është shtuar edhe firma “Kurum International”, e cila para disa muajve regjistroi në Gjykatën e Tiranës kërkesën për të shpallur falimentimin.

Vetëm në bankat shqiptare “Kurum” rezulton të ketë 30 milionë euro te “Banka Raifeissen” dhe 5 milionë të tjera te “NBG Bank”. Banka e Shqipërisë ndërkohë ka hartuar një plan për ristrukturimin e kredive me probleme, që prej një viti, por një nga elementët kyç, ai i një ligji të ri për falimentin, nuk është miratuar ende në Kuvend, ndonëse në planin fillestar të BSH-së, ai pritej të kalonte që në tetor 2015.

Mësohet se kompani të fuqishme kanë qenë kundër bërjes së një ligji i cili do t’i çonte ato drejt falimentimit të pashmangshëm. Me kompleksitetin që kishte legjislacioni i vjetër, biznesmenët e fuqishëm në shumë raste merrnin në banka kredi të mëdha, nuk i paguanin ato dhe zvarritnin pafund procesin në gjykata. Me ligjin e ri shmangen skemat abuzive, pasi fillojnë hetimet për organet drejtuese të kompanive, por po ashtu ka një nen, i cili qartëson vjeljen e detyrimeve të kreditorit edhe për pasuritë që nuk janë lënë kolateral.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb