TIRANË- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë në shqyrtim sot raportin e Bordit të Monitorimit të Mediave në lidhje me pasqyrimin e aktiviteteve elektorale të subjekteve politike. Në raport kërkoheshin gjoba ndaj disa TV-ve që kishin shkelur ligjin, duke mos ruajtur balancat. Por pas diskutimit me 4 vota pro, KQZ i ka lënë edhe 3 ditë afat këtyre mediave që të rikuperojnë kohën duke balancuar minutazhin në dispozicion të partive dhe kandidatëve.

Anëtari i KQZ-së, Denar Biba ishte në prej zërave kundër gjobitjes së TV-ve, duke u shprehur se një demokraci pa media nuk funksionon. “Pa parlament edhe mund të funksionojë por jo pa mediat”, tha Biba. Edhe anëtarja tjetër, Jorgaqi ka qenë kundër gjobave. Dy anëtarë të djathtë të KQZ-së, Shtjefni dhe Osmani kanë qenë pro propozimit të Bordit të Monitorimit të Mediave. Në përfundim ka qenë kryetarja Lefterie Luzi që ka propozuar shtyrjen e afatit për shqyrtimin sërish të raportit për në 13 qershor.

“Jam me propozimin që të kemi kompensim të këtyre televizioneve deri në datën 13 qershor. Fotografimi të jetë deri në datën 13. Pa përfshirë reklamat tek ky propozim”, tha Luzi. Propozimi i saj u miratua me 4 vota.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: