Nga: KLODIANA LALA*
TIRANE- Në Thesarin e Shtetit janë vjedhur vetëm 713 milionë lekë, asnjë qindarkë më shumë. Në këtë përfundim kanë dalë tre ekspertët e caktuar nga Prokuroria e Tiranës, të cilët kanë kryer inventarizim të ri në Departamentin e Emisionit, pas dyshimeve të forta që kishte organi i akuzës, se mund të ishin vjedhur më shumë para sesa shuma e deklaruar nga vetë Banka e Shqipërisë, pak ditë pas publikimit të skandalit më 21 korrik 2014. Në fakt, ishte vetë Ardian Bitraj, ish-përgjegjës i Arkës Stok dhe njeriu që ka marrë përsipër i vetëm supervjedhjen në Thesar, që në momentin e vetëdenoncimit, deklaronte se shuma e parave që kishte vjedhur ishte diçka më shumë se 700 milionë lekë, ku 600 milionë ishin prerje të reja që pritej të hidheshin në qarkullim, ndërsa afër 120 milionë prerje të dala nga qarkullimi dhe që priteshin të asgjësoheshin. Tre ekspertët, që në fakt zyrtarë të lartë të Bankës së Shqipërisë u është dashur një muaj kohë, për të kryer inventarizimin dhe për të përpiluar raportin, që prej katër ditësh ia kanë vënë në dispozicion Prokurorisë së Tiranës. Bëhet fjalë për një raport prej afro 80 faqesh, ku ekspertët u kanë dhënë përgjigje të gjitha pyetjeve të prokurorëve.

RAPORTI
Kur nuk ishte mbushur ende java nga shpërthimi i skandalit të vjedhjes së Thesarit, Banka e Shqipërisë njoftoi se dëmi i shkaktuar në departamentin e Emisionit ishte 713 milionë lekë. Sipas BSH-së, ishte kryer inventarizimi i plotë dhe në këtë mënyrë ishte arritur të përcaktohej dhe shuma e vjedhur. Pavarësisht dokumentit zyrtar që iu vu në dispozicion prokurorisë nga banka qendrore, dyshimet se shuma e vjedhur mund të ishte më e lartë bënë që të urdhërohej kryerja e një inventarizimi të ri. Për shkak se ekspertët e pavarur nuk ishin të pajisur me certifikata sigurie për të hyrë në institucionin më të lartë financiar në vend, prokuroria caktoi tre zyrtarë të vetë bankës për të kryer këtë detyrë, e cila në fakt, referuar përfundimeve, mund të ndryshonte dhe rrjedhën e hetimit të çështjes. Tre ekspertët morën detyrat nga prokuroria si dhe bënë betimin që do të vepronin me profesionalizëm e përgjegjësi në të kundërt u vunë në dijeni të faktit se do të përgjigjeshin penalisht, nëse në raport do të përdornin fakte të pavërteta.

RAPORTI
Pas një muaji, ekspertët kanë mundur të përpilojnë raportin që është mjaft voluminoz dhe me firmën e tyre, i është përcjellë prokurorit të çështjes, Ramadan Troci. Raporti është i detajuar dhe mjaft teknik, por përfundimi është se në Thesarin e Shtetit është shkaktuar një dëm prej 713 milionë lekësh, aq sa ishte deklaruar që në krye të herës nga vetë Banka e Shqipërisë, e cila pati konfirmuar kryerjen e një inventarizimi në Departamentin e Emisionit, me urdhër të guvernatorit në atë kohë, Ardian Fullani.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: