Nga: VJOLLCA KONGJONI*
TIRANË- Situata e përgjithshme ekonomike në vend dhe gjendja e përgjithshme e biznesit janë vlerësuar në rënie gjatë tremujorit të parë, të 2015-ës, pas një rritjeje prej disa tremujorësh. Kjo ka çuar në humbjen e besimit në të gjithë sektorët e ekonomisë. Sipas raportit të fundit të BSH mbi treguesin e ndjesisë ekonomike, gjatë periudhës janar –mars të këtij viti besimi në ekonomi është ulur me 4,6 pikë.

Kjo rënie frenoi prirjen rritëse të regjistruar që prej tremujorit të katërt të vitit 2013. Sektori më pesimist është treguar ndërtimi me një rënie të treguesit me 5,2 pikë përqindjeje. Në këtë rënie ka ndikuar sipas raportit të BSH, jo vetëm rënia e kërkesës por edhe e prodhimit. Nuk mbetet pas edhe sektori i tregtisë, ku treguesi i besimit ka rënë me rreth 4 pikë përqindjeje. Sipas BSH, në përkeqësimin e këtij treguesi ka ndikuar vlerësimi i përkeqësuar i bizneseve për gjendjen financiare të tyre si dhe për gjendjen e përgjithshme të biznesit. Prirjen rënëse gjatë tremujorit të parë të 2015 e ka treguar edhe sektori i shërbimeve me -2,4 pikë. Bizneset raportojnë se kufizimet financiare të tyre do t’I përballojnë përmes kredive bankare.
Besimi është përkeqësuar gjatë kësaj periudhe edhe tek konsumatorët. Ky tregues është ulur me 2,7 pikë përqindjeje duke konfirmuar trendin rënës të nisur në periudhën e fundit të vitit 2014. konsumatorët janë shprehur skeptikë për situatën ekonomike dhe financiare në vend e reflektuar në përkeqësimin e blerjeve të mëdha të cilat kanë rënë me 9,2 pikë. Pritjet e qytetarëve për nivelin e papunësisë edhe për gjashtëmujorin e ardhshëm janë pesimiste. Gjithashtu konsumatorët perceptojnë kosto të rritur të jetesës, ndërsa kursimet e tyre kanë pësuar rënie.

(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: