TIRANE- Kryedemokrati Basha reagoi sot pas publikimit të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për trafikimin e njerëzve, i cili e cilëson Shqipërinë si vend burimi dhe destinacion për trafikimin e vajzave, grave dhe fëmijëve.

Për Bashën përgjegjës për këtë situatë është qeveria, dyshja Rama-Meta që sipas tij, trafikantët i kanë bërë deputetë, i kanë graduar në poste kyçe.

“Raporti është fotografia e vërtetë e shtimit të këtyre krimeve në Shqipëri. Trafikantët tutorë emërohen deputetë, kryetarë bashkish, drejtora dhe në poste të tjera kyçe nga Edi Rama dhe Ilir Meta. Kjo është arsyeja kryesore pse është shtuar trafiku, krimi është veshur me pushtet”,- tha ai.

Basha shtoi ndër të tjera se në qeverinë e Ramës dhe Metës trafikantët kanë një status të privilegjuar prandaj ai këroi të vihet në zbatim nisma e opozitës për dekriminalizimin e politikës.

“Ndihem dhe jam thellësisht i brengosur me ketë situatë tonditëse, pas kësaj tabloje vlojnë dhimbje dhe drama njerëzore. Dekriminalizimi është parakusht”,- nënvizoi ai.

Duke e cilësuar realit dhe konstruktiv raportin e DSH, kreu i PD-së tha se: “Në betejën kundër krimit nuk jemi vetëm, kemi në krah SHBA, BE ku duam të integrohemi. Raporti është një provë e fuqishme e kësaj mbështetje”.

Sipas Bashës, “Edi Rama që ka krijuar problemin nuk mund të fshihet më pas gjethes së fikut, tashmë bota mbarë e ka të faktuar gradimin në pushtet të njerëzve të trafikut”.

“Kjo qeveri është vetë problemi. Dyshja Rama-Meta i sollën vetë trafikantët. Ata kandiduan Frrokun, Ndokën, Pecin e dhjetëra të tjerë duke sfiduar aleatët tanë. Nuk flet se më ta morën pushtetin, kërcënuan zgjedhësit, morën votat, me ta ndajnë pushtetin, lejet, koncesionet, kontrabandën…Prandaj hesht Rama dhe Meta se krimi janë vetë themeli, prandaj manipulojnë provat, zhdukin dëshmitarët sepse Rama me Metën nuk shkëputen dot nga ortakët e tyre të krimit”.

Sipas Bashës për sa kohë që vendi qeveriset nga kriminelët do të ketë rrokullisje. “Vendi nuk mund të mbetet peng i krimit të veshur me pushtet, nuk e pranojnë qytetarët, partnerët tanë. Pa zgjidhur këtë,asnjë problem tjetër nuk merr dot zgjidhe. Da t’ju ftoj të bashkohemi të gjithë për tu larguar nga sundimi i krimit. Ne jemi të vendosur ta çojmë deri në fund këtë betejë, me çdo kusht e çdo çmim, se nuk do ketë të ardhme për asnjë qytetar”.

GJEBREA: SHQIPËRIA NË NIVELIN 2, FALË PUNËS SONË
Zv.ministrja e Brendshme, Elona Gjebrea e ka konsideruar Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit si nxitje për të vazhduar punën kundër trafikimit të qenieve njerëzore.

Sipas saj, ky raport tregon progresin e Shqipërisë në 3 fusha.

“Shqipëria renditet në kategorinë e vendeve që kanë rritur përpjekjet në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. E gjetëm vendin në renditjen 3 dhe e ngritëm në nivelin në 2. Në kohën e qeverisë së kaluar kemi qenë 2 herë në listën e vendeve nën vëzhgim. Ata që bërtasin sot nuk e kanë lexuar raportin”,- tha ajo

“Ky raport përmend progresin në ndjekjen penale, mbrojtjen e viktimave dhe parandalimin e trafikimit”, ka nënvizuar Gjebrea. Ajo ka shtuar më tej se, qeveria ka rritur përpjekjet përmes bashkëpunimit me OJF-të dhe rritjes së financimit të strukturave policore.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: