Ish-ministri Genc Pollo, foli sot për raportin e publikuar një ditë më parë nga DASH për vendin tonë. I ftuar në rubrikën “Opinion” në New24, ai u shpreh se pasqyra në këtë raport është me keq se ajo e një viti me parë.

Pollo u shpreh se raporti paraqet një situatë më të keqe në vendin tonë, ku evidentohen disa pika kyçe.

“Skandali i patronazhistëve, rrjedhja e të dhënave, sulmet ndaj deputetëve të opozitës dhe medias, janë për herë të parë në këtë raport. Mesazhi është për popullin, që keni një gjendje të keqe dhe të tentoni ta ndalin dhe ta rregulloni”, tha ai.

Po ashtu, Pollo tha se kemi të bëjmë me një kontrast mes asaj që thonë diplomatët amerikanë në Tiranë, dhe raporti i DASH. Ai shtoi se ndryshimi tashmë vjen nga vota, dhe se ky raport nuk do ta stepë Edi Ramën të sulmojë bizneset dhe mediat, duke iu referuar shembjes së “Prestige Resort”, apo të ndalojë PPP.

“Është kambanë alarmi dhe nëse nuk ndryshon gjendja do jetë kambanë alarmi. Mesazhi është për qytetarët, që të dalin të votojnë. Mos prisni nga Rama që të anulojë PPP, të mos shembë bizneset e medias, sepse media i zbulon problemet e qeverisë, pas këtij raporti… këtë ndryshim do ta sjellë shoqëria, media e lirë, opozita”, tha Pollo.

Ndërkohë në gjatë kësaj bisede në studio, Pollo është ndalur edhe tek takimi Kurti-Vuçiç në Ohër.

“Ka pasur një presion mbi Prishtinën dhe Beogradin nga BE dhe amerikanët që të arrihej një marrëveshje në Ohër, me firmë apo pa firmë, kjo nuk është e gjitha, sepse ekzistojnë dhe deklarata të panënshkruara.

Këtu kemi të bëjmë me një marrëveshje dhe një dakordësim për aneksin zbatues. Edhe pse është i paplotë prapë nuk është i keq për sa kohë do të zbatohet. Ky hap i ndërmjetëm është pozitiv.

Kryesorja për Kosovën që ajo të bjerë dakord për asociacionin, nuk është dhe aq normalizimi me Serbinë, por me BE dhe NATO, pra njohja nga shtetet që nuk e njohin. Marrëveshja brenda BE ka qenë që Prishtina dhe Beogradi do arrijnë marrëveshje, por ju do njihni Kosovën. Me këtë i hapet rruga drejt BE”, tha ai.

Nga ana tjetër, sa i përket situatës së fundit të krijuar me opozitën, ai tha se tashmë është momenti që forcën e ndryshimit ta gjejnë tek vetja. Pollo tha se vula ka “shkuar në drejtim të paditur” me ndihmën e pushtetit, dhe se kanë qenë disa “zagarë” ata që e kanë vjedhur.

“Vula ka shkuar në drejtim të paditur me ndihmën e pushtetit. Media është nën goditje, por nuk ka rrugë tjetër veçse të ruaj pavarësinë e veten me çdo kosto. Me ndihmën e pushtetit disa zagarë vodhën vulën e opozitës. Publiku shqiptar këtë gjë e kupton”, u shpreh Pollo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb