Kosova vazhdoi t’i kundërvihet kërcënimit gjithnjë në rritje të terrorizmit në vitin 2017, thuhet në raportin e publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit.


Sipas raportit, rreth 403 qytetarë të Kosovës kanë udhëtuar në Siri dhe Irak për t’u bashkuar me ISIS-in apo Frontin el-Nusrah, prej të cilëve rreth 74 kanë vdekur. Rreth 133 prej këtyre individëve janë kthyer, ndërsa rreth 196 mbeten në këto zona konflikti. Ky numër përfshin 40 fëmijë të lindur nga qytetarë të Kosovës në zonat e konfliktit.


Gjendja e sigurisë dhe ajo politike në veriun e Kosovës, thuhet në raport, ka vazhduar të kufizojë aftësinë e qeverisë për të ushtruar autoritetin e saj në atë rajon, megjithëse qeveria ka integruar me sukses gjyqtarët, prokurorët dhe stafin serb në institucionet gjyqësore të Kosovës në tetor, duke zgjeruar autoritetin gjyqësor të vendit dhe qasjen në drejtësi për qytetarët.


Legjislacioni, zbatimi i ligjit dhe siguria kufitare: Kuadri ligjor i Kosovës është i mjaftueshëm për të ndjekur penalisht individë të dyshuar për kryerjen ose mbështetjen e aktiviteteve terroriste, por prokurorët nuk kanë përvojë në raste të tilla, thuhet në raport.

“Autoritetet e zbatimit të ligjit treguan aftësi të mjaftueshme për të zbuluar dhe parandaluar individë të ndryshëm që t’u bashkoheshin konflikteve në Siri dhe Irak”.

Në Kosovë, thotë raporti, vazhduan gjykimet dhe hetimet për 51 të dyshuar dhe 29 raste, ku përfshiheshin disa imamë të arrestuar që nga viti 2014 nën akuza për terrorizëm. Në vitin 2017, autoritetet e Kosovës arrestuan pesë individë të tjerë nën të njëjtat akuzat. Autoritetet ngritën shtatë aktpadi të reja me akuza për terrorizëm që përfshinin 17 individë.

Sipas raportit, gjatë vitit 2017 qeveria e Kosovës ndërmori hapa aktivë për të përgatitur një strategji riatdhesimi për qytetarët e saj që ktheheshin nga zonat e konfliktit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: