Nënkryetari i PD Luçiano Boçi, në një komunikim për mediat ka reaguar në lidhje me raportin e DASH.

Ai theksoi se raporti raporti konfirmoi edhe njëherë denoncimet e PD, duke u shprehur se Shqipëria është vend i vështirë për biznes, për shkak të korrupsionit me PPP-të, në gjyqësor, prokurimet publike, konkurrencën e pandershme dhe ekonominë informale.

Deklarata:

“Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit mbi klimën e investimeve është një tjetër certifikatë turpi për Edi Ramën dhe qeverinë e tij. Konstatimet e shprehura aty mund të merren fare mirë si tekst për një manual të korrupsionit. Partia Demokratike vëren, me dhimbje dhe rikonfirmim se ato qe thuhen në raportin amerikan ne i denoncojmë prej kaq kohësh nga kjo foltore.

Me dhimbje sepse ne nuk gëzohemi dot kur dëgjojmë keq për vendin tonë, në shqip apo anglisht, qoftë kjo.

Me rikonfirmim sepse, në një mjedis ku qeveria ka kapur të gjitha pushtetet, zëri i arsyes dhe të vërtetës, që ne mundohemi të artikulojmë nga kjo foltore e në forma të tjera, rrallëherë dëgjohet e shpeshherë shpërfillet.

Ne do të vazhdojmë kursin tonë të denoncimit, për shpëtimin e Shqipërisë nga rreziku që i vjen nga kjo qeveri, duke shpresuar se teksti i raporteve amerikane dhe europiane do të takohet, sa më shpejt, me gjuhën e aktorëve relevantë këtu në Tiranë.

Se çfarë thuhet në këtë raport të Departamentit të Shtetit po e listojmë shkurtimisht më poshtë:

-Investitorët e huaj e perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes.

-Investitorët përmendin korrupsionin endemik, në gjyqësor dhe prokurimet publike, konkurrencën e pandershme, ekonominë informale, ndryshimet e shpeshta të legjislacionit fiskal dhe zbatimin e dobët të kontratave

-Përdorimi i vazhdueshëm i kontratave PPP ka reduktuar mundësitë për konkurrencë, duke përfshirë investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë.

-Analizat e dobëta kosto-përfitim dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP janë shqetësime të vazhdueshme”.

-Investitorët amerikanë ndeshen me korrupsion dhe praktika joformale të biznesit.

-Të drejtat e pronësisë vazhdojnë të jenë një sfidë në Shqipëri, sepse një titull i qartë është i vështirë për t’u marrë.

-Ka pasur raste të individëve që dyshohet se kanë manipuluar sistemin gjyqësor për të marrë tituj të paligjshëm të tokës. Mbivendosja e titujve të pronësisë është një çështje serioze dhe e zakonshme.

-Procesi i kompensimit për tokat e konfiskuara nga ish-regjimi komunist vazhdon të jetë i rëndë, joefikas dhe i pamjaftueshëm.

-Shqipëria vazhdon të ketë rezultate të dobëta në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit.

-Shqipëria vazhdon të renditet ulët në Indeksin Global të Inovacionit, e 84-a nga 132 vende.

Këto janë përfundime të Departamentit të Shtetit. Por ato nuk i bën të vërteta vetëm fakti se vijnë nga Uashingtoni. Janë të vërteta sepse ju, të nderuar qytetarë, i ndeshni çdo ditë kur trokisni në zyrat e shtetit dhe jua hapin sekserët.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: