Presidenti Ilir Meta përshëndet raportin e DASH mbi liritë e besimit fetar për Shqipërinë, ndërsa shton se çmon me rëndësi të madhe vlerësimin për harmoninë dhe bashkëjetesën ndërfetare në vendin tonë.

Mes të tjerash, Kreu i Shtetit apelon që të gjitha shqetësimet e ngritura në raportin e DASH të vlerësohen me përparësi nga autoritetet përgjegjëse shtetërore dhe të marrin zgjidhje ligjore pa zvarritje të mëtejshme.

“E përshëndes raportin realist të DASH mbi liritë e besimit 2019 për Shqipërinë, dhe e çmoj me rëndësi të madhe vlerësimin për harmoninë dhe bashkëjetesën ndërfetare në vendin tonë. Ndaj të njëjtat konkluzione me gjetjet e raportit, ku evidentohen shqetësimet e komuniteteve fetare për moskthimin e pronave të konfiskuara gjatë regjimit komunist, si dhe vështirësitë për marrjen e lejeve nga disa autoritetet lokale për ndërtimin e institucioneve të kultit. Apeloj që të gjitha shqetësimet e ngritura në raportin e DASH, veçanërisht lidhur me trajtimin e pronave dhe pengesat administrative e burokratike të vlerësohen me përparësi nga autoritetet përgjegjëse shtetërore dhe të marrin zgjidhje ligjore pa zvarritje të mëtejshme.

Ky proces, do të ndikonte në forcimin e pavarësisë të komuniteteve fetare dhe do t’i mbante ato larg ndikimive të huaja, që synojnë dëmtimin e harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare. Duhet një reagim energjik dhe i sinqertë, institucional shtetëror për të zgjidhur përfundimisht çështjen e pronës së komuniteteve fetare duke u dhënë fund praktikave burokratike dhe korruptive”, shkruan Meta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb