Nga:VJOLLCA KONGJONI*TIRANE-Zgjedhjet e 21 Qershorit do të ndikojnë në politikbërjen e qeverisë. Shqetësimet vijnë nga raporti më i fundit i publikuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, ku konkretisht thuhet se zgjedhjet e Qershorit mund të sjellin tensione politike dhe sociale dhe do të ndikojnë në zbatimin e axhendës së vendosur për reformat. Sipas këtij raporti, FMN i kërkon qeverisë të tregojë kujdes kryesisht në reformat që kanë nisur.

FMN sheh si subjekt rreziku reformën në sektorin energjitik ndaj dhe kërkon një angazhim politik te qëndrueshëm të paktën në një periudhë afatmesme.Në raport vihet re një tjetër rrezik, ai i vijimit të rënies së cmimit të naftës, i cili mund të tkurrë më tej investimet. Veçanërisht gjatë viteve të fundit, sektori i naftës ka qenë një nga kontribuesit kryesorë në rritjen ekonomike, duke amortizuar edhe efektet e krizës, thuhet në raport.

Por, sipas saj, rënia e prodhimit dhe investimeve nga kompanitë e naftës mund ta dobësojë rritjen ekonomike. Megjithatë rimëkëmbja ekonomike vlerësohet të jetë në drejtimin e duhur. Sipas këtij raporti rritja ekonomike do të vazhdojë të përshpejtohet deri në 4.5 për qind brenda dy viteve të ardhshme, për shkak të efekteve pozitive që vijnë nga reformat, rimëkëmbja e partnerëve tregtarë dhe përmirësimi i besimit në ekonomi. Në dokumentin e publikuar mbi rishikimin e katert të marrëveshjes me qeverinë, Fondi Monetar Ndërkombëtar vëren se, ulja e borxhit publik në periudhë afatmesme do të kërkojë angazhim politik për të ruajtur kursin e konsolidimit domethënës fiskal, që nisi vitin e kaluar.

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: