DAVOS– Eksodi masiv i popullatës gjatë vitit të kaluar ka alarmuar bizneset shqiptare, të cilat tani e konsiderojnë emigrimin masiv si riskun kryesor të ekonomisë. Përfundimi vjen nga raporti i rreziqeve globale për vitin 2016 që publikohet nga forumi ekonomik botëror i Davosit. Sipas raportit, i cili hartohet duke pyetur direkt ndërmarrjet, mbi 78 për qind e bizneseve në Shqipëri kanë vënë emigrimin masiv të detyruar si rrezikun kryesor për të bërë biznes në Shqipëri.

Shqipëria u përball me një eksod të shtuar vitin e kaluar, ku dhjetëra mijë shqiptarë u larguan nga vendi për të kërkuar azil në vendet perëndimore.

Kjo duket se ka prekur bizneset, të cilat i druhen largimit të forcës punëtore, por edhe rënies së ekonomisë, pasi largimi masiv i individëve rrudh konsumin dhe ekonominë. Sipas raportit në vendin e dytë si rreziku kryesor i të bërit biznes në Shqipëri është një krizë e mundshme fiskale. Rreth 65 për qind e ndërmarrjeve në Shqipëri i druhen rrezikut të një krize buxhetore çka përveçse do të godiste ekonominë do të çonte në masa të jashtëzakonshme si rritja e fortë e taksave.

Ndërsa rreziku i tretë më i lartë nga bizneset në Shqipëri janë konsideruar luahtjet e forta në çmimin e energjisë si në rënie ashtu dhe në rritje. Lista e pesë rreziqeve të para të biznesit pasohet nga papunësia e lartë dhe dështimi i ndonjë mekanizmi apo institucioni financiar. Raporti global i rreziqeve është dokumenti kryesor i cili përvijon hartën e risqeve në botë. Për vitin 2016, rreziku më i madh për të bërë biznes në shkallë botërore është cilësuar papunësia, ndërsa në vendin e dytë dhe të tretë renditen goditjet në çmimin e energjisë dhe krizat fiskale.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: