TIRANË- Emiljano Aleksi, drejtori i komunikimit në Presidencë ka reaguar pas publikimit të raportit të Freedom House për Shqipërinë si dhe lajmet që pasuan këtë raport. Aleksi thotë se raporti është i bazuar në doza kolumbiane dhe i quan orkestrime mafioze në dëm të integritetit të Presidentit të Republikës.

“Dozat kolumbiane mbi të cilat bazohej raporti i “Albanian Freedom House”, jo rastësisht u shoqëruan sot me shkrime nga portale të oligarkisë.
Asgjë e rastësishme por një orkestrim mafioz për të krijuar fokuse artificiale në dëm të integritetit të Institucionit të Presidentit të Republikës.
Me neveri i hedhim poshtë këto provokime të orkestruara në mënyrë mafioze e ordinere, nga portale që përdoren në përpjesëtim të drejtë me koncesionet, në kurriz të qytetarëve shqiptarë”, shkruan Aleksi.

Raporti i Freedom House thoshte se: “Lufta kundër korrupsionit mori gjithashtu një goditje me zgjedhjen e Ilir Metës si President i Republikës më 28 prill, presidenca e të cilit u bë e mundur nga votat e Partisë Socialiste”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb