Raporti i gjashtë i transparencës së Facebook zbulon se kërkesat nga agjensitë qeveritare për informacion kanë shënuar rritje globalisht. Në një njoftim për shtyp, rrjeti social bëri të ditur se kërkesat qeveritare janë rritur me 13% ose saktësisht nga 41,214 në gjysmën e parë të 201-tën në 46,763 në gjysmën e dytë të 2015-tës.

Gjithashtu numri i përmbajtjeve që shkelnin ligjet lokale shënuan rritje me 20,568 krahasuar me gjysmën e parë të 2015-tës në 55,827. Raportet e transparencës së Facebook konsistojnë në ofrimin e informacionit për kërkesat qeveritare dhe numrin e përmbajtjeve që shkelin ligjet lokale.

Por çfarë flet raporti i gjashtë i transparencës për Shqipërinë dhe Kosovën? Gjatë gjysmës së dytë të 2015-tës, kishte një rënie të kërkesave nga ana e autoriteteve Shqiptare në vetëm 5 kërkesa ku janë prekur në total 15 llogari përdoruesish. Ju kujtojmë se në raportin e kaluar kishte 8 kërkesa për informacion ku janë prekur në total 14 llogari përdoruesish.

Autoritetet Kosovare janë ato që kanë bërë numrin më të lartë të kërkesave me plot 16 të tilla dhe si rezultat janë prekur plot 32 llogari. Kjo është një rritje e konsiderueshme nëse krahasojmë me raportin e kaluar ku autoritetet kishin bërë 6 kërkesa me 14 llogari të prekura.

Nga vendet fqinje, Greqia bart numrin më të lartë të kërkesave me 186 të tilla dhe 266 llogari të prekura ndjekur nga Serbia me 27 kërkesa dhe 35 llogari të prekura. Vendin e tretë për nga numri i kërkesave e zë Maqedonia me 19 kërkesa dhe 40 llogari të prekura ndjekur nga Mali i Zi në vendin e katërt me 17 kërkesa dhe 56 llogari të prekura.

Nisur nga statistikat e lartpërmendura, mësojmë se Shqipëria dhe Kosova janë dy vendet me numrin më të vogël të kërkesave për informacion nga rrjeti social Facebook në rajon.

(d.d/PCW/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: