Në tremujorin e tretë 2018, janë evidentuar gjithsej 9.579 vepra penale, duke shënuar një rënie me 3,7 %, krahasuar me tremujorin e tretë 2017, tha INSTAT në një raport të posaçëm për krimet. Numri i grupveprës vrasje me dashje të evidentuara, në tremujorin e tretë 2018, është 14, një vrasje më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Për grupveprën penale vrasje mbetur në tentativë, në këtë periudhë janë evidentuar 34 vepra, 5 më pak, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2017. Numri i veprave penale të rënda kundër pasurisë, në këtë tremujor është 29, duke shënuar një rënie me 7 vepra, krahasuar me tremujorin e tretë 2017. Kjo grupvepër përfshin veprat penale vjedhje me dhunë, vjedhje me armë dhe vjedhje me pasojë vdekjen.

Në tremujorin e tretë 2018, janë evidentuar 38 krime me natyrë seksuale, 3 më pak, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2017.

Në tremujorin e tretë 2018 janë evidentuar 641 vepra penale në fushën e drogës, duke shënuar një rritje me 4,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017. Këtu përfshihen veprat prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kultivimi i bimëve narkotike dhe trafikimi i narkotikëve.

Në këtë periudhë janë evidentuar 73 vjedhje të automjeteve, me një rënie prej 28,4 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2017.

Numri i veprave penale të evidentuara për vjedhje lokale tregtie, në tremujorin e tretë 2018, është 121, duke shënuar një rritje me 36,0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Numri i veprave penale të evidentuara për vjedhje banese, në tremujorin e tretë 2018, është 321, duke shënuar një rritje me 15,1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në këtë periudhë janë evidentuar 13 vjedhje duke shpërdoruar detyrën, 16 vjedhje më pak, krahasuar me të njëjtin tremujor të 2017.

Numri i veprave penale të evidentuara për vjedhje mbetur në tentativë, në tremujorin e tretë 2018, është 93, 3 vepra më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Numri i veprës penale shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor, në tremujorin e tretë 2018 është 596, duke shënuar një rënie me 13,0 %, krahasuar më të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Autorët e veprave penale
Në tremujorin e tretë 2018, janë evidentuar gjithsej 9.279 autorë të veprave penale, duke shënuar një rënie me 4,1 % krahasuar me tremujorin e tretë 2017.
Numri i autorëve për grupveprën vrasje me dashje, në këtë tremujor është 13, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë janë 2 autorë më pak të evidentuar. Ndërkohë numërohen 45 autorë të evidentuar për grupveprën vrasje mbetur në tentativë, 10 autorë më pak, krahasuar me tremujorin e tretë 2017.
Numri i autorëve për vepra penale të rënda kundër pasurisë, në tremujorin e tretë 2018, është 36 autorë, 10 autorë më pak, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2017.
Në këtë periudhë janë evidentuar 37 autorë për grupveprën krime me natyrë seksuale, e njëjta vlerë ishte edhe në tremujorin e tretë të vitit të kaluar.
Numri i autorëve për krime në fushën e drogës, në tremujorin e tretë 2018, është 699, duke shënuar një rritje me 3,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Për veprën vjedhje e automjeteve, në këtë tremujor janë evidentuar 9 autorë, 13 autorë më pak, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2017. Në tremujorin e tretë 2018, janë evidentuar 78 autorë për veprën vjedhje lokale tregtie, 39 autorë më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Numri i autorëve për vjedhje banese, në tremujorin e tretë 2018 është 126, duke shënuar një rënie me 31,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Për veprën vjedhje e kryer duke shpërdoruar detyrën, në këtë tremujor janë evidentuar 14 autorë, 20 autorë më pak, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2017. Në tremujorin e tretë 2018, janë evidentuar 69 autorë për grupveprën vjedhje mbetur në tentativë, 6 autor më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Numri i autorëve për veprën shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor, në tremujorin e tretë 2018, është 585, duke shënuar një rënie me 14,8 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë. /Monitor/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb