UASHINGTON

Princi i Kurorës Saudite Mohammed bin Salman miratoi – dhe me gjasë urdhëroi – vrasjen e vitit 2018 të gazetarit disident saudit Jamal Khashoggi.

Kjo thuhet në një raport të Inteligjencës Amerikane, të lëshuar këtë të premte.

Kujtojmë se më herët presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, telefonoi mbretin Salman të Arabisë Saudite, ndërsa administrata e tij publikoi tashmë një version të deklasifikuar të mandatuar nga kongresi të një raporti të zbulimit, që pritet të vërë në pah se i biri i mbretit, princi i Kurorës, Mohammed bin Salman, ka miratuar vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, në vitin 2018.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, gjatë bisedës telefonike, presidenti Biden dhe mbreti Salman “diskutuan mbi sigurinë rajonale, duke përfshirë përpjekjet e ripërtërira diplomatike të drejtuara nga Kombet e Bashkuara dhe Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund luftës në Jemen dhe angazhimin amerikan për të ndihmuar Arabinë Saudite që të mbrojë territorin e saj, teksa përballet me sulme nga grupe të lidhura me Iranin”.

Njoftimi i Shtëpisë së Bardhë mbi telefonatën, vuri në dukje lirimin e fundit të disa aktivistëve amerikanë sauditë dhe veprimtares saudite për të drejtat e grave, Loujain al-Hathloul nga paraburgimi dhe pohoi rëndësinë që Shtetet e Bashkuara u kushtojnë të drejtave universale të njeriut dhe sundimit të ligjit. Njoftimi nuk përmendi raportin mbi vrasjen e Jamal Khashoggit, i planifikuar për t’u publikuar pas telefonatës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb