Kryenegociatori i Shqipërisë në BE, Zef Mazi, foli në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, lidhur me procesin e integrimit, pas prezantimit të progres-raportit nga Komisioni Evropian, ku thuhej se Shqipëria i ka plotësuar kushtet.

Në studion e “Real Story”, kryenegociatori Mazi tha se Shqipëria ka bërë progres në shumë fusha, ndërsa sipas raportit, në 7 kapituj nuk ka ecur përpara, duke përmendur këtu punësimin dhe shëndetësinë.

“Ka një skepticizëm të gjerë, pasi që prej 2008 KE i ka propozuar këshillit hapjen e negociatave. Ish-kryeministri italian i asaj kohe, Conte, tha se është gabim historik i Unionit. Më 2020 u vendos për hapjen e negociatave, ndërkohë që doli një problem mes dy fqinjëve tanë të mirë, Maqedonisë së Veriut e Bullgarisë. Tani jemi përballë një realiteti, ku për herë të parë në mënyrë institucionale, Komisioni Evropian rekomandon me shkrim hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe RMV.

Është e vërtetë që janë plotësuar kushtet, përfshirë dhe komentin e Komisionit për zgjedhjet e 25 prillit, të cilat i cilëson si konform rregullave të ODIHR. Përmendet që ka dyshime për mënyrën si janë financuar zgjedhjet, apo edhe hapja e të dhënave, pra debati për patronazhistët. Ka dhe një referencë tjetër, nëse ka pasur ose blerje vote, dhe fjala që përdoret aty është “gjoja blerje vote”, dhe për këto kërkohet hetim. Pra, pretendimi për këto çështje po hetohet, siç thotë dhe vetë Komisioni.

Duhet të bëjmë një ndarje, çfarë janë veprime pozitive, konstatime siç kanë qenë dhe çfarë kërkohet të bëhet brenda vitit që vjen? Ajo që konstatoj është se nuk ka rënie niveli të atyre që janë bërë. Duhet të dini që ky është raporti i parë që shkruhet, i miratuar nga Unioni. Ne kemi kaluar nga stadi pozitiv, në një stad gjysmë hapi më lart, ose një hap më lart dhe disa kanë ngelur në vend.

Për Reformën në Drejtësi, që është themelore, kryesore, kemi kaluar nga një nivel i moderuar në një nivel të mirë përgatitur. Në marrëdhëniet me jashtë, Shqipëria bën progres nga niveli i përgatitur në mënyrë mesatare-moderisht, në nivel të mirë. Në peshkim jemi ngritur në nivel më të lart, nga niveli stad i hershëm, në një nivel të caktuar përgatitjesh për këtë punë. Pra, e gjithë kjo ka rritje. Edhe marrëdhëniet e politikës së jashtme, sigurisë dhe mbrojtjes, ka një rritje në nivel të mirë-përgatitjes. Jemi në të njëjtin nivel me Malin e Zi dhe jemi më lart se Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Sa i përket stadit të progresit teknik, është interesant të shihet se ka përparim të mirë, veçanërisht te gjyqësori dhe të drejtat themelore. Prokurimi publik është në nivel më të lartë. Ndërsa, ka mos-ecuri në 7 kapituj, nuk ka progres. Vetëm një nga kapitujt nuk ka ecuri të mirë, kjo është punësimi dhe shëndetësi i punëtorëve, ndërkohë që thuhet se Ministria e Shëndetësisë është fokusuar shumë, por për shkak të pandemisë fokusi është te virusi”, tha Mazi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb