KOSOVE- Ministri për Integrime Evropiane në Kosovë, Bekim Çollaku, në pjesën e dytë të mbledhjes së Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane, të martën, tha se liberalizimi i vizave është vetëm një çështje teknike, e cila sipas tij shumë shpejt do të përfundojë.

Çollaku tha se tashmë kanë marrë raportin e ekspertëve për çështjen e përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave, në të cilin ka pasur rekomandime sa i përket sundimit të ligjit.

Por, sipas tij, Raporti i Komisionit Evropian për viza pritet që të jetë nga fundi i dhjetorit, më së largu në muajin janar.

“Sot përfundon raporti i BE-së për liberalizmin e vizave për Kosovën, ai do t’iu dërgohet vendeve anëtare të BE-së. Nuk e di se kur do ta ketë Kosova, por shpresoj që do të jetë raport pozitiv”, tha Çollaku, shkruan “Koha”.

Sipas tij, ky do të jetë raporti i fundit i Komisionit Evropian dhe se tashmë ai nuk ka asnjë arsye që të mos japë datën për liberalizimin e vizave.

Çollaku tha se edhe pas kësaj, janë disa procedura të tjera që Kosova duhet t’i përmbushë, por shpreson që kjo të bëhet gjatë vitit të ardhshëm.

Nuk është hera e parë që udhëheqësit institucional bëjnë premtime për liberalizimin e vizave. E pikërisht tani pas nënshkrimit të MSA-së mes Kosovës dhe BE-së, ky premtim po përmendet edhe më shumë.

Një premtim të tillë e kishte dhënë edhe ministri i Punëve të Jashtëm që nga vitit 2010, dhe ndonëse kanë kaluar 5 vjet nuk ka pasur asgjë konkrete, përpos raporteve të KE-së që duhet ende të përmbushen kritere për liberalizimin e vizave.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: