“Rreziku nga pastrimi i parave dhe financimi i aktiviteteve terroriste mbetet i lartë në Shqipëri”. Në këtë përfundim arrin Këshilli i Evropës në raportin e tij të fundit mbi masat që ka marrë vendi për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e aktiviteteve terroriste.

Raporti pohon se Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm, duke vlerësuar se ekziston konceptimi i duhur i problemit të pastrimit të parave dhe rrezikut që përbëjnë burimet e paligjshme financiare dhe pastrimi i tyre në ekonominë formale. Por raporti thekson se nevojitet një analizë më e hollësishme mbi kërcënimet që shoqërohen me financimin e grupeve dhe aktiviteteve terroriste si dhe një sistem më funksional në ndjekjen e pasurive të krijuara në forma të paligjshme dhe pistave për pastrimin e tyre.

Raporti nënvizon se rreziku kryesor në vend për pastrimin e parave vjen nga korrupsioni, sidomos duke pasur parasysh lidhjet në shumë raste të zyrtarëve të korruptuar me krimin e organizuar që gjenerojnë shuma të mëdha parash dhe minojnë funksionimin efektiv të sistemit të drejtësisë. Megjithëse autoritetet janë të vetëdijshme për problemin, aktiviteti i forcave të rendit për të goditur këto fonde dhe përpjekjet për pastrimin e tyre ka qenë shumë i kufizuar, thuhet në raport. Hetimet, thuhet më tej, në një përqindje të vogël të rasteve çojnë në ngritje akuzash dhe kjo përqindje është drejt rënies. Në shumë raste proceset hetimore pezullohen, ose akuzat braktisen nga prokurorët.

Këshilli i Evropës në raportin e tij thekson se Shqipëria ka bazën ligjore të nevojshme për konfiskimin e pasurive të vëna me aktivitet të paligjshëm. Por statistikat mbi pasuritë e konfiskuara nuk duken në përputhje me nivelin e aktivitetit kriminal në vend.

Këshilli i Evropës nënvizon se Shqipëria është zyrtarisht e hapur për bashkëpunim ligjor me vende të tjera në rastet e hetimeve nën dyshime për korrupsion, apo pastrim parash, por shton se mekanizmat ligjore në operim janë shumë të ndërlikuara dhe përfshijnë autoritete të shumta me afate të ndryshme kohore për kërkesa e ekzekutim, duke konkluduar se këto hallka pengojnë një proces hetimor efiçent. Në Shqipëri në kohën e analizës, thuhet në raport, nuk kishte një sistem që trajton me përparësi kërkesat nga vende të tjera për hetimin e rasteve të pastrimit të parave.

Këshilli i Evropës vëren se megjithë masat e fundit për të zgjeruar raportimin e rasteve të lëvizjes së parave jashtë vendit nga Banka e Shqipërisë, ndjekja e aktivitetit që dyshohet si pastrim parash apo financim i organizatave terroriste është shumë i kufizuar.

Raporti vë në dukje se Analiza për Nivelin e Rrezikut në Shqipëri ka identifikuar një rritje të kërcënimit nga radikalizmi fetar dhe nga përpjekjet për rekrutim për aktivitet terrorist. Megjithatë, sipas analizës së Këshillit të Evropës, Shqipëria nuk duket e përgatitur për t’iu përgjigjur me masat e nevojshme këtij rreziku. Autoritetet nuk kanë krijuar një metodologji sistematike për të identifikuar dhe hetuar rastet e financimit të grupeve terroriste. Megjithëse ka pasur ndjekje penale për persona që kanë shkuar për të luftuar në Siri, nuk ka pasur akuza të ngritura apo ndëshkime për financimin e aktiviteteve terroriste.

Këshilli i Evropës, në analizën e tij, rekomandon si të nevojshme:
-Një analizë të gjerë dhe të kujdesshme të rreziqeve nga pastrimi i parave apo financimi i aktiviteteve terroriste, ndërgjegjësim për lidhjen dhe ndikimin që kanë ekonomia informale dhe korrupsioni tek tendenca për pastrim parash dhe financimi i aktivitetit terrorist; analizimi i rrezikut nga organizata apo entitete si grupet e krimit të organizuar.

-Të koordinohen politikat në nivel kombëtar për t’iu përgjigjur rreziqeve komplekse nga pastrimi i parave/financimi i aktiviteteve terroriste, të cilat nuk po adresohen me strategjitë ekzistuese.

-Të analizohen arsyet për nivelin e ulët të proçedimit të rasteve për pastrim parash si dhe të mangësive në proceset hetimore, që u identifikuan në Analizën mbi Nivelin e Rrezikut.

-Angazhim aktiv për të ndjekur penalisht raste të pastrimit të parave, përfshirë rastet kur ka fonde që kalojnë kufijtë shtetërorë, duke shfrytëzuar më mirë provat rrethanore në aktet e dyshuara kriminale, qofshin edhe të mbledhura jashtë vendit, në raste kur ka prova të tilla.

-Masa për të identifikuar fondet dhe përfitimet e siguruara përmes aktivitetit kriminal si brenda edhe jashtë vendit dhe të ndërmerren hapa për t’i konfiskuar pasuritë e krijuara me këto fonde. /VOA/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb