TIRANË

Presidenca ka reaguar sërish pas publikimit të raportit të Komisionit të Venecias për Presidentin. Zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, ka publikuar një prononcim të deputetes Mimi Kodheli në News24 më 10 shtator, ku thotë se ‘Komisioni mendon se ka një shkelje të Kushtetutës”. Pra, deklarata e Kodhelit është bërë pa dalë opinioni paraprak i Venecias. Kujtojmë se më 10 shtator delegacioni nga Komisioni i Venecias ishte në Tiranë dhe nuk kishte përfunduar takimet.

“Kur Mimi nxjerr sekretin para kohe…ha ha ?”, shkruan zëdhënësi Tedi Blushi.

VIDEO E PLOTË E DEKLARATËS SË KODHELIT (min.9)

Kuvendi i Shqipërisë është impenjuar tashmë në një iniciativë për shkarkimin e Presidentit të Republikës? E menduat këtë zonja Kodheli kur e votuat Presidentin e Republikës dhe si e shikoni këtë moment?
Jo. Unë të them të drejtën kam votuar që Ilir meta të jetë President i Republikës dhe kam menduar që për eksperiencën që kishte në politikë, do duhej të dinte të ishte një President i mirë dhe gjithëpërfshirës i vendit. Ju keni parë tashmë, janë në sytë e të tërëve, Komisioni hetimor për shkelje të Kushtetutës nga ana e Presidentit…Shikoni ka eksperienca botërore që kanë shkarkuar, kanë bërë impeachment dhe kanë shkarkuar Presidentin për shumë më pak se kaq. Ka edhe eksperienca të tjera për të cilat po ka pasur shkelje por…

Pra, eksperiencat janë nga më të ndryshmet, kjo varet nga legjislacioni i vendeve për të cilat flasim, respektive, varet nga natyra, varet nga background-i historik i atyre vendeve, varet nga momenti historik kur kjo gjëja ka ndodhur dhe ka qenë e nevojshme, është dashur, nuk është dashur, ka qenë në një moment qetësie jeta politike e atij vendi, pra futen shumë elementë dhe jo domosdoshmërisht kanë të bëjnë vetëm dhe ekskluzivisht me shkeljen përse, pra me vetë shkeljen.

Besoj që në këtë proces do të na ndihmojë Komisioni i Venecias, i cili për çka kam dëgjuar dhe për çka jam informuar mendon që ka një shkelje të Kushtetutës, pastaj është sigurisht ka shumë aktorë dhe faktorë. Gjykata Kushtetuese, parlamenti, të gjithë sipas asaj që Kushtetuta u ndan si përgjegjësi të mund të vijnë në konkluzion të një procesi, i cili duhet të jetë patjetër i ndershëm në sytë e publikut por sigurisht edhe në zbatim të Kushtetutës. Shpesh herë flasim për Kushtetutën, ka inflacion të lartë kur e përmendim këtë fjalë, këtë libër të shenjtë për Republikën tonë, flasim për ligjet sikur flasim ku di unë për bukën tonë të përditshme në një kohë që shumëkush abuzon me këtë.

Ndaj duhet të vijë momenti që të ketë sa më pak abuzime dhe të ketë sa më shumë respekt të këtij libri themeltar mbi të cilin zhvillohet i gjithë aktiviteti i shoqërisë sonë. Jetojmë në momente interesante politike në Shqipëri. Shpresoj shumë që Gjykata (Kushtetuese) të formësohet dhe gjërat e mira dhe kur vijnë pak me vonesë janë më mirë të bëhen ashtu siç duhet dhe të vijnë të mira vërtetë se sa të bëjmë sikur bëjmë disa reforma dhe pastaj të mbesim në vend numëro. Kështu që nuk e shikoj faktorin kohë si një faktor kundër nesh, të të gjithëve ne, jam e opinionit që gjërat duhen bërë mirë edhe kur bëhen ngadalë, ndaj dhe besoj në këtë proces, cilido të jetë fundi i këtij procesi shpresoj shumë që të jetë ai i duhuri.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb