Pjesa e njëzet e dy
Publikohet një dosje arkivore voluminoze e nxjerrë nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra dokumente me siglën “Tepër sekret” që i përket ish-të dënuarit politik, Xhavit Qesja, me origjinë nga qyteti i Krujës, familja e të cilit gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke qenë një ndër bazat kryesore të saj dhe vuri në dispozicion të gjithë pasurinë që kishte, pasi Xhaviti ishte një ndër anëtarët e parë të Partisë Komuniste Shqiptare për rrethin e Krujës, duke drejtuar batalionin partizan Krujë-Ishëm dhe Brigadën e 22 Sulmuese.

Karriera politike e Xhavit Qeses pas mbarimit të Luftës, ku ai u emërua dhe shërbeu në detyra të larta në Ushtrinë Shqiptare, aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, e disa rrethe të vendit, nga ku u dërgua me studime në Bashkimin Sovjetik, ku qëndroi deri në vitin 1957, kur ai u njoftua që të kthehej urgjent në Shqipëri, pasi kishte shprehur hapur pikëpamjet e tij pro vijës politike që po ndiqte udhëheqësi kryesor i Kremlinit, Nikita Hrushov, për dënimin e kultit të Stalinit. Biseda e Enver Hoxhës me Xhavit Qesen në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ku ai e kritikoi ashpër për pikëpamjet e gabuara që ai kishte shfaqur gjatë periudhës së studimeve në Moskë, duke i bërë thirrje që të reflektonte dhe të bënte autokritikë, por Xhaviti e refuzoi sugjerimin e sekretarit të parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, gjë e cila u bë shkak që ai të mos lejohej të shkonte më në Bashkimin Sovjetik për të përfunduar studimet, por të dërgohej me punë si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, nga ku një vit më vonë, do të përjashtohej nga radhët e Partisë, e do të internohej në Ishullin e Zvërnecit, ku regjimi komunist mbante të izoluar disa nga ish-kuadrot e lartë partiakë dhe shtetërorë, të cilët i kishte dënuar për pikëpamjet e tyre antiparti.

Kalvari dhe persekucioni i gjatë i Xhavit Qeses nga viti 1957 deri në 1990-ën, ku ai kaloi plot 32 vite në burgje dhe internime, duke qenë një nga të rrallët e dënuar të burgut të Burrelit që bëri greva të gjata urie në shenjë proteste për trajtimin dhe qëndrimin e egër që po mbante regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj tij. Dosja e plotë formulare, hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të Xhavit Qeses, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, ku ndodhen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që pasqyrojnë ndjekjen dhe përgjimet ndaj tij, raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit me pseudonimet e tyre, korrespodenca me letrat që ai u dërgonte instancave të larta partiake dhe shtetërore, si dhe udhëheqësve më të lartë të PPSh-së, deri në vitin 1991 që u lirua nga burgu!

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Akt-ekspertiza e Laboratorit Qendror Kriminalistik pranë Ministrisë së Brendshme, me deshifrimet e shënimeve të Xhavit Qeses, të shkruara në librat që ai ja dërgonte familjes në Durrës!

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË “TEPËR SEKRET”

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME

Laboratori Qendror Kriminalistik Tiranë më 15.5.1966

Nr.______AKT Nr.76/1

Me datën 7.5.1966, nga Dega e Punëve të Brendshme Vlorë, me shkresën datë 5.5.1966, na është dërguar për ekzaminim një ekzemplarë i vëllimit 36 të veprave “K. Marks e F. Engels”, botim rusisht “Politizdat – Moskë 1964”.

Eksperimenti i kërkohet të përcaktojë nëse në këtë libër, që i internuari Xhavit Qesja i dërgon familjes së vet në Durrës, ka ose jo shënime sekrete të natyrës së kodit.

Gjatë ekzaminimit teknik të këtij libri, u konstatua se në shumë faqe të tij ka nënvizime të shpeshta fjalësh e frazash, përmbajtja e të cilave nuk ka karakterin e citateve apo ekstrakteve të veçanta e të rëndësishme të tekstit ku ato janë nënvizuar.

U konstatua gjithashtu se të gjitha numrat e faqeve të librit të cilat janë bërë nënvizime të ndryshme, shënohet në dy faqet e fundit të ndarë në 42 grupe, me emërtime konvencionale për secilin grup, si p.sh.: ‘Ballkani’, ‘Angli’, ‘Ushtarake’, ‘Drejtësi’, ‘Fshati’, ‘Tregu botëror’. etj.

Të bashkuara në mënyrë kronologjike, nënvizimet e librit nuk përbëjnë ndonjë tekst me kuptim të caktuar, të qartë a të nënkuptuar. Në të kundërtën, të lidhur si mbas grupeve të shënuara në faqet e fundit të librit nga vetë Xhavit Qesja, shënimet e nënvizuara formojnë një tekst të caktuar, me karakter mjaft të dyshimtë.

Për ilustrim po radhitim më poshtë përkthimin në gjuhën shqipe të shënimeve të nënvizuara të faqeve që përmblidhen në grupin “Njeriu”.

Në këtë mënyrë, vetëm këtu mund të vazhdojë i qetë punën teorike. Në çdo vend tjetër do të më duhej të merrja pjesë në agjitacionin praktik dhe të harxhoja për këtë shumë. Në fushën e agjitacionit praktik, unë do të bëja jo më shumë se çdo njeri tjetër, i cili mund të më zëvendësonte mua e Marksin.

Kautskci, i vetmi që studion me zell, është i detyruar të shkruaj që të fitojë mjetet për të jetuar dhe pikërisht për këtë nuk është në gjendje të bëjë asgjë… dhe pikërisht nga kjo nuk mund të evitohet humbja e bot-kuptimit të qartë… sigurisht, në qoftë se do të vinin përsëri ato kohë, si në 1848-ën ose 1849-ën, unë përsëri do të hipja mbi kalë (do të zija vendin e drejtimit), në rast se kjo është e nevojshme.

Përsa i përket përmendores së Marksit, unë të them të drejtën, nuk di ç’të bëj. Familja është kundër kësaj… Ata e konsiderojnë ……., që të zëvendësohet tabela e thjeshtë e varrit, që e ka bërë ai për gruan, në të cilën janë shënuar tani edhe emrat e Marksit… , me monumentin që ndodhet këtu në Londër, do të ishte pak e dallueshme midis përmendoreve të filistoreve që e rrethojnë.

Por ndryshe s’ka si të bëhet, kush e filloi punën duhet ta shpjerë atë deri në fund, ndryshe mundi i harxhuar të shkon kot.

Ajo që thua ti për Libretin, është ndoshta mendimi yt i mëparshëm. Ne e njohim atë gjatë shumë vjetëve. Popullariteti që ka fituar është për të kushti i ekzistencës. Veç kësaj ai është nga natyra optimist dhe i shikon të gjitha gjërat në dritë të kuqe. Në sajë të kësaj vetie, ai është aktiv dhe ky është shkak kryesor i popullaritetit të tij, por në këtë qëndron edhe ana e errësuar e tij (ana e dobët).

Letrat e mia drejtuar atij, me të vërtetë kanë qenë shpesh herë të ashpra, po kjo ashpërsi kondicionohej nga përmbajtja e letrave të tija. Kërkush nuk e dinte këtë më mirë se Marksi…… Përveç kësaj, Libkhneti nuk di të presë (durojë).

Duhet shumë punë …… por mua kjo punë më kënaq, sepse unë jam përsëri me shokun tim të vjetër.

Bershtejni, po përmirësohet mirë, ai përpiqet të mësojë, është i zgjuar dhe zotëron mendime të qarta, është i aftë të pranojë kritikën dhe është çliruar nga çdo dozë e moralit mikroborgjez.

Pikërisht kjo është edhe gjendja e mrekullueshme e të rinjve tanë, që masat janë shumë më të mira se sa të gjithë udhëheqësit dhe tani kur ligji kundër socialistëve i detyron masat të veprojnë me forcat e veta, ndërsa influence e udhëheqësve është ulur në minimum, tashti lëvizja është më e mirë se kur ndonjëherë tjetër…… dhe ai mund të diskutojë tani më fshehtasi e qetësi me guxim ….! Shanset e revolucionit revolucionar. Këtë të djelë na pimë për atë, për shëndetin e tij dhe i uruam atij më shumë trimëri e durim.

Mavri, mund të tërbohej, por kurrë të demoralizohet! Jeta e Mavrit pa internacionalen do të ishte unazë brilanti, së cilës i është hequr brilanti.

Ai duhet të kishte të mbledhur plotësisht të gjitha materialet, deri të ditës së fundit, kurse tani të gjitha këto nuk vlejnë as gjë, me përjashtim të shënimeve ku duhet shpresuar se ka shumë vërejtje, kritika, të cilat vlejnë për komentimin e vëllimit të dytë.

Ti pyet si ndodhi që unë nuk di as gjë… shumë thjeshtë. Në rast se unë do ta dija këtë, unë do të mos e lija atë të qetë ditë e natë, deri sa libri të mbarohej e të shtypej. Dhe këtë Marksi e kuptonte më mirë se kushdo qoftë, por ai e dinte edhe atë që , në një situatë të keqe, e cila tani edhe ndodhi, dorëshkrimi mund të botohej nga unë në rrymën e tij për këtë ai i tha edhe Tuses.

Mendoj që t’u jepet mundësia këtyre zotërinjve të tregojnë vetë veten, le të formulojnë më qartë si e kuptojnë, as një herë nuk duhet t’i pengojmë njerëzit të shprehin budallallëkun e tyre “tërësisht e plotësisht”, vetëm atëhere ke se ku të kapesh. Shpresoj se artikulli juaj do t’i shtyjë ata në këtë drejtim.

Unë i thashë Kautskit, që megjithëse nuk mund të kuptojmë stilin e Marksit, por sidoqoftë është e nevojshme që stili ynë të mos jetë krejt i kundërt në mënyrë të hapur me stilin e tij. Përqendrimi në këtë vëmendje dhe puna jonë do të dalë mirë, aq sa do të mos na vijë turp ta tregojmë.

Këta llafazanët – studentët, urdhërdhënësit etj., janë flama për lëvizjen. Ata nuk dinë as gjë dhe pikërisht për këtë nuk duan të mësojnë as gjë, socializmi i tyre i ashtuquajtur – është frazë boshe dhe as gjë tjetër.

Në kondita të njohura unë mund të pranoja ujdi me njerëz të cilët nuk janë krejtësisht në pozita revolucionare – komuniste, në rast se ata ja vlejnë, por ne as një mënyrë ne bashkohemi me ta.

Sikur ai të qe më i kujdesshëm në disa çështje teorike, ai do të bëhej pishtari në Parisë, në këtë qytet pishtar.

Në Paris do të formohet një farë Komiteti Qendror, i cili do të zgjedhë (vendosë) çështje për pranimin e anëtarëve të rinj dhe për këto apo ato veprime dhe atëhere do të ndodhë që unë të jem në një organizatë me njerëz kundër të cilave unë duhet të bëjë një luftë të vendosur, ose do të jem përgjegjës për veprime që unë nuk mund ta vë kurrë veten në një pozitë të tillë!

Marksi as një herë nuk ka folur për terrorizmin e vetvetes, siç e dini edhe juve, ai e urrente.

Ata të paktën kanë dëshirë të mësojnë, me gjithë se kjo dëshirë nuk është drejtuar gjithmonë në rrugë të drejtë. Por më e keqja qëndron në atë që kjo klikë e vogël njerëzish, të cilët publikisht jepen mbas lëvdatës së njëri tjetrit (reciproke), kurse fshehurazi, të paktën pjesërisht, shpifjes së njeri tjetrit.

Në një punë të tillë nuk ka më të keqe se të ngriturit, vendimet e marra me gjaknxehtësi, gjithmonë na duken neve jashtëzakonisht heroike dhe të mahnitshme, por ai rregull, shpien në budallallëqe, për ç’ka unë qindra herë e kam provuar me eksperiencën tim.

I vetmi njeri të cilit unë i fola për këtë problem, është Mini dhe ajo është plotësisht e mendimit, që parashtrova më sipër.

… dhe për këtë gjë vetëm ju mund të më informoni ose të më propozoni mua vendimin e marrë”.

Të nisur nga këto të dhëna mund të arrijmë në konkluzionin se i internuari Xhavit Qesja, nëpërmjet nënvizimeve të fjalëve dhe frazave që ka bërë në faqet e vëllimit të 36-të veprave “K. Marks e F. Engelsi”, të cilin ja adreson familjes së tij në Durrës, shpreh pikëpamjet e tija politike dhe ideologjike dhe i përdor ato si mjet për tu ndërlidhur në mënyrë sekrete me persona të ndryshëm jashtë vendit të tij të izolimit.

Për këtë qëllim, mendojmë që ky libër kohësisht të ndalohet dhe të studiohet në këtë drejtim më me hollësi.

EKSPERTI KRIMINALISTIK

(FARUDIN POÇARI)

Proces-verbali i marrjes në pyetje të Xhavit Qeses nga hetuesi i Sigurimit të Shtetit, Stavri Xhara, në prani të prokurorit Asaf Kondi, lidhur me shënimet e koduara që Xhaviti ka shkruar në librat që do i’a dërgonte familjes së tij në Durrës!

PROÇES-VERBAL

Tiranë më 6.X.1967, unë hetuesi i Ministrisë Punëve të Brendshme, Stavri Xhara, duke qenë dhe prokurori Asaf Kondi, muarrëm në pyetje të pandehurin Xhavit Qesja, i biri Hajdarit i datëlindjes 1920, lindur në Krujë me banim në Zvërnec të Vlorës, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, me arsim të lartë, me profesion nëpunës, i përjashtuar nga Partia, i pa dënuar, rrjedh nga një shtresë qytetare e pasur.

Pyetja filloi më ora ___

Pyetja mbaroi më ora ____

Pyetje: Letra që ju paraqitet e shkruar më 20 korrik 1966, që fillon me fjalë “me qëllim dhe mbaron me fjalën për socializëm”. Është shkruar nga ju?

Përgjigje: Nuk pranoj të shikoj letrën dhe nuk përgjigjem.

Pyetje: Në letrën e datës 20 korrik 1966, lidhur me abstenimin tuaj për zgjedhjet, shkruan: “Siç ja u kam thënë edhe në rastet e tjera për një sërë çështjesh së politikës së jashtme dhe të brendshme, që ndjek sot Komiteti Qendror i P.P. Shqipërisë, unë nuk jam as pak dakord, pra jam në opozitë të hapët”, dhe më poshtë në këtë letër shkruani. “Unë pra nuk e lidh abstenimin tem, absolutisht me asgjë përveç se me faktin se jam në opozitë të hapur me vijën tuaj”.___________.

Shpjegoni i pandehur, se përse e kini shkruar këtë letër, për deri sa ju siç thoni edhe vetë, bindjet tuaja i kini parashtruar edhe herë të tjera, cilat konkretisht janë arsyet dhe ato çështje të politikës jashtme dhe të brendshme që ju kanë vënë juve në opozitë të hapët me politikën e jashtme dhe të brendshme të Partisë tone?!

Përgjigje: Nuk përgjigjem._____________

Pyetje: Në letrën e sipërme d.m.th. në letrën e datës 20.7.1966, ju shkruani se: “Karl Marksi ka thënë vite më pare, se ka edhe njerëz të tillë që pretendojnë se janë Komuniste, por që në fakt revolucionin komunist, e konsiderojnë si një lopë qumështore, mund të bëjnë pazarllëqe me bindjet, sepse ata asëll–asëll, s’kanë bindje, koha po, punon në favorin tem, jam shumë i lumtur që bindjet e mia fitojnë çdo ditë edhe sikur të vdes, nuk çaj kokën fare. Besoj që ju mjafton më keq. Pra unë jam kundër jush e për pasojë në luftë me ju”.

Jepini shpjegime i pandehur, se çfarë doni të thoni me fjalën: “unë jam kundër jush e për pasojë në luftë kundër jush”._______

Përgjigje: Nuk pranoj të përgjigjem.

Pyetje: Letrën që ju paraqitet e shkruar dhe mban datën 25 Maj 1966, prej kujt është shkruar?_______

Përgjigje: Nuk Përgjigjem________

Pyetje: Nga konkluzionet e ekspertizës dhe nga deponimet e të pandehurit Maqo Çomo, del se këtë letër e ka shkruar Maqo Çomo, me emrin dhe nën diktatin tënd, jepni shpjegime sepse ka ndodhur kjo?________

Përgjigje: Nuk përgjigjem._______

Pyetje: Ju i pandehur pretendoni se çështja që i kini shkruar Komitetit Qendror, janë bindjet tuaja, pra deri sa ju pretendoni kështu, pse këto bindje ja u transmetoni të tjerëve, siç është rasti me letrat që u ka shkruar i pandehuri Maqo Çomo?______

Përgjigje: Nuk përgjigjem._______

Pyetje: Letra që ju paraqitët dhe që mban datën 16 shtator 1964, a është shkruar prej jush?_________

Përgjigje: Nuk përgjigjem._____________

Pyetje: Si shpjegohet që ju në këtë letër n’forma të ndryshme shpreheni kundër Partisë dhe Pushtetit Popullor në vendin tonë, më keq se çdo armik i deklaruar?______

Përgjigje: Nuk përgjigjemi._____________

Pyetje: Ju në këtë letër edhe në letrat e tjera, ja atribuoni Partisë dhe Pushtetit tonë çdo gjë të keqe dhe barbare, që kini lexuar nga letërsitë e ndryshme, tribuar sistemeve të ndryshme shtypëse dhe shfrytëzuese në të kaluarën. Jepni i pandehur shpjegime për këtë?

Përgjigje: Nuk përgjigjemi._____________

Pyetje: Pse ju i pandehur shpifni kaq shumë kundër Demokracisë Popullore. A nuk tregojnë shprehjet e tua armiqësore se ju çdo gjë në vendin tonë e shihni me syrin e armikut dhe çdo sukses në vendin tone, kërkoni me çdo kusht ta errësoni për hir të bindjeve dhe veprimtarisë tuaj revizioniste. Jepni shpjegime për këtë? ____

Përgjigje: Nuk përgjigjemi._____________

Pyetje: Çfarë qëllimi keni ndjekur ju i pandehur kur në letrat tuaja drejtuar organeve të Partisë dhe të Pushtetit, keni përdorur në forma të ndryshme fjalë kërcënuese, ofenduese dhe shpifëse. Çfarë keni për të thënë?____

Përgjigje: Nuk përgjigjemi._____________

Proçesi pasi ju lexua të pandehurit Xhavit Qesja, nuk pranoi që të firmosë.

Hetuesi Prokurori I pandehuri

Stavri Xhara Asaf Kondi Xhavit Qesja

/Memorie.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb