Një raport i Pentagonit shprehet se bashkëpunëtori rajonal i Al-Kaidas në Afganistan ka “lidhje të ngushta” me talibanët dhe “interes” për të sulmuar trupat amerikane. Sipas marrëveshjes së nënshkruar në muajin shkurt në mes të talibanëve dhe Shteteve të Bashkuara, kryengritësit janë pajtuar për të ndaluar grupet terroriste sikurse Al-Kaida nga shfrytëzimi i Afganistanit si strehë të sigurt për organizim të sulmeve.

Në raportin e publikuar më 1 korrik, Departamenti amerikan i Mbrojtjes ka thënë se militantët talibanë kanë vazhduar punën e tyre me “Al-Kaidën në Subkontinentin indian”.

Ky rrjet “në mënyrë rutinore mbështet dhe punon me pjesëtarë të grupit të talibanëve, përgjatë përpjekjeve për të dëmtuar qeverinë afgane, si dhe ka interes për të sulmuar forcat amerikane dhe shënjestrat perëndimore në rajon”, ka thënë Departamenti i Mbrojtjes në një raport që ka hartuar për Kongresin amerikan.

Ky dokument vjen pas raportit të Kombeve të Bashkuara, të publikuar një muaj më parë, në të cilin është thënë se Al-Kaida dhe talibanët “janë të afërt, bazuar në miqësi, histori të njëjtë të problemeve, simpatisë mbi ideologji”. Në raportin e OKB-së është thënë edhe se talibanët “janë konsultuar vazhdimisht” me Al-Kaidën përgjatë negociatave me Shtetet e Bashkuara, duke “i ofruar garanci se do të nderojnë lidhjet historike”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb