Nga: IV KALOÇI*
Sot ekskluzivisht në “Gazeta Shqiptare” për herë të parë po botojmë të plotë një sërë dokumentesh dhe relacionesh sekrete të vitit 1979, të ish-ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu dhe ish-zv/ministrit të Brendshëm, Feçor Shehu, dërguar K.Q. të PPSH-së përkatësisht, Sekretarit të KQ, Hekuran Isait dhe deri Enver Hoxhës, lidhur me çështjen e survejimeve dhe përgjimeve që strukturat e Sigurimit të Shtetit bënin mbi ekipin e gjeologëve dhe naftëtarëve, pas goditjes së të ashtuquajturit “grupit armiqësor” në sektorin e naftës dhe gazit në vitet 1976-1977.

Ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike dhe ekonomike të Shqipërisë me Kinën në mesin e viteve ’70-të do të çonte drejt një degradimi të pashmangshëm të gjithë sektorët e industrisë dhe ekonomisë shqiptare dhe veçanërisht atë të naftës dhe të gazit, një nga sektorët më premtues të kësaj ekonomie. Për këtë arsye pas goditjes së “grupeve armiqësore” të kulturës, ushtrisë dhe ekonomisë, një tjetër kastë profesioniste gjeologësh dhe naftëtarësh me në krye Koço Plakun dhe Milto Gjikopullin, do të sakrifikohej nga regjimi i kohës “për të dhënë një shembull të mirë”, të gjitha grupeve sabotuese reale apo imagjinare të naftës dhe të gazit. Raportet sekrete në fjalë tregojnë imtësisht një pjesë të qëndrimeve dhe opinioneve të disa prej inxhinierëve dhe punonjësve në industrinë e hidrokarbureve për përkeqësimin dhe vështirësitë e mëtejshme që ky sektor po haste nga dita në ditë, sidomos pas eliminimit dhe burgosjes së disa prej drejtuesve të tij më të zotë.

I gjithë ky proces, organizohej dhe drejtohej në dy nga institucionet përkatëse të Sigurimit të Shtetit në Ministrinë e Punëve të Brendshme. E para ishte Dega e 7 e Mbrojtjes së Ekonomisë Socialiste, e drejtuar në vitet 70-të nga Ndue Doçi, ndërsa e dyta do të ishte pikërisht Dega e Posaçme e Naftës dhe Gazit (e stacionuar në Fier në Degën e Brendshme të këtij qytetit), që udhëhiqej nga Spiro Lame dhe më pas nga Theodhor Babe. Këto dokumente dhe relacione të Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit të përpiluara nga Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu në drejtim të Enver Hoxhës dhe Hekuran Isait, tregojnë qartë kontrollin e ashpër që organet e MPB-së dhe Sigurimit të Shtetit vazhdonin të kryenin mbi të gjithë punonjësit dhe inxhinierët e naftës në disa nga vëndburimet kryesore të saj në Shqipëri, si në Patos, Roskovec, Kuçovë, Gorisht, etj.

Nga këto të dhëna të dokumentuara del qartë se vetëm 2 vjet pas zhvillimit të procesit gjyqësor mbi “grupin armiqësor dhe sabotator” në industrinë e naftës dhe gazit, Enver Hoxha po rrekej të përgatiste një tjetër spastrim akoma më të ashpër mbi specialistët e kësaj fushe, spastrim i cili do të ndalej përfundimisht në kohë vetëm nga goditja e të ashtuquajturit “grupit të fundit armiqësor” të MPB-së të kryesuar nga Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu në fillimin e viteve ’80-të.

SHOKU ENVER
Siç ju premtova, po ju dërgoj këtë raport ku jepen të dhëna e mendime të Sigurimit të Shtetit, mbi punën në Sektorin e naftës dhe të gazit. U përpoqëm të ristrukturojmë ato çka kemi pasur dhe kemi në këtë drejtim, pavarësisht se disa çështje janë të njohura. Për këtë më ka porositur shoku Hysni. Këtë material ia dërgova dhe shokut Mehmet dhe shokut Hekuran. Me respekt, Kadri Hazbiu.

Tiranë, më 30.8.1979 ………………………………………………………. REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE SEKRET MINISTRIA E PUNEVE TE BRENDSHME Ekzemplar Nr.1 DREJTORIA E PARE TIRANË, më 30.8.1979 Nr.3564 RAPORT MBI DISA KONKLUZIONE QE DALIN NGA VEPRIMTARIA ARMIQESORE E KEQBERESE NE INDUSTRINE E NAFTES DHE TE GAZIT

Nga analiza e të dhënave që disponojnë organet e Sigurimit të Shtetit, rezulton se në sektorin e industrisë të naftës dhe të gazit edhe pas zbulimit dhe goditjes së grupit sabotator, është zhvilluar dhe zhvillohet veprimtari armiqësore dhe keqbërëse mjaft intensive, e cila veç të tjerave duket edhe në rritjen e numrit të të dhënave për veprimtari armiqësore (7% më tepër se në vitin 1978, në krahasim me 1977), në shtimin e objekteve të përpunimit (3% më tepër) në rritjen e rasteve të avarive (50% më shumë) etj.

Gjithashtu, nga disa kuadro drejtues janë kryer dhe lejuar veprimtari të papërgjegjshme, që bien në kundërshtim me direktivat dhe orientimet e Komitetit Qendror të PPSH-së e të Qeverisë, me rregullat dhe dispozitat që normojnë proceset e punës dhe të prodhimit, të cilat kanë penguar realizimin e detyrave dhe janë shfrytëzuar nga elementë armiq e keqbërës për kamuflimin e veprimtarisë së tyre.
1. Mbi veprimtarinë armiqësore Kjo shprehet si në konceptet dhe praktikat e huaja e antishkencore që elementët armiq mundohen t’i përhapin e kultivojnë në masën e naftëtarëve, duke ia kundërvënë orientimeve të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së mbi ekzistencën e naftës në vendin tonë dhe punën që duhet bërë për kërkimin dhe zbulimin e saj, ashtu dhe në veprime konkrete armiqësore-sabotuese, me anë të zvarritjeve, shkeljeve të rregullave, të projekteve dhe moskryerjes së detyrave, me qëllim që të krijohen vështirësi dhe pengesa të ndryshme.
a) Elementët armiq përhapin mjaft koncepte antishkencore dhe pikëpamje armiqësore si: “zhvillimi i industrisë së naftës në vendin tonë nuk ka perspektivë”, “vendi ynë nuk ka naftë dhe ajo që mund të ketë qenë, një pjesë është nxjerrë dhe pjesa tjetër ka emigruar”, “ashtu siç kërkojnë këta ta gjejnë naftën me metoda gjeologo-gjeofizike, s’kanë për ta gjetur kurrë, pasi nafta gjendet vetëm me puse shpimi”, “nafta kërkon makineri dhe teknologji moderne, por ne s’ka kush na furnizon pasi kemi mbetur vetëm”, “po të rregulloheshin marrëdhëniet me rusët, do të përdornim teknologjinë e tyre të përparuar dhe do të dilnim nga prapambetja”, etj. Mbi këto të dhëna është qëndruar dhe janë përcaktuar e janë marrë masa për vërtetimin e tyre. Për rrjedhim, është arritur në goditjen e 4 elementëve armiq dhe aktualisht ndiqen edhe 9 të tjerë.

Megjithatë, duhet theksuar, se si pasojë e këtyre pikëpamjeve armiqësore, në disa brigada shpimi nuk është e plotë bindja për ekzistencën e strukturave naftë e gaz mbajtëse në zonën ku është shkuar dhe kanë punuar pa vendosmëri dhe pa vëmendjen dhe rigorozitetin e duhur në zbatimin e rregullave e normave teknike. Si rrjedhim, ato janë gjetur para të papriturave, kanë shkaktuar avari të rënda, deri dhe në fontana të pakomanduara dhe zjarre, siç ndodhi në brigadën që shponte në pusin “Divjakë 55”, e cila shkeli rregulloren gjatë procesit të përvetësimit dhe e braktisi pusin me bindjen se aty nuk ka gaz, por pas pak kohe pusi u aktivizua dhe shpërtheu fontana. Fill mbas kësaj, po kjo brigadë filloi shpimin e pusit “Fr-35”, zonë kjo e njohur tashmë si gazmbajtëse, por megjithëkëtë, duke shkelur përsëri në mënyrë flagrante rregullat për ruajtjen e parametrave të solucionit të argjilës, la bosh trungun e pusit, gjë që solli fontanën me zjarr, e cila i shkaktoi ekonomisë një dëm të rëndësishëm. Nisur nga vetë rrezikshmëria që paraqet veprimtaria armiqësore në formën e propagandës në sektorin e naftës, pavarësisht nga rezultatet e arritura, ne do të kualifikojmë më tej luftën kundër saj, si për zbulimin e rrënjëve dhe goditjen e elementëve armiq, ashtu dhe për diferencimin e shpëtimin e personave viktimë të kësaj veprimtarie.

b) Nga ndjekja e 18 objekteve në përpunim, si dhe nga mjaft të dhëna e sinjale, del se në sektorin e naftës është zhvilluar dhe zhvillohet veprimtari armiqësore-sabotuese. Kjo shprehet në përhapjen ndër specialistët e naftës e ndjenjës së frikës dhe pasigurisë në përpjekjet për t’i shmangur ata nga puna kërkimore-shkencore, përgjithësuese e projektuese për zbulimin e vendburimeve të reja të naftës dhe gazit në keqshfrytëzimin e vendburimeve, nëpërmjet shkeljeve të rënda të projekteve teknike etj.

RAPORTI: “TRE INXHINIERËT, ELEMENTË ARMIQ”
Kështu, inxhinieri gjeolog, Dhimitër Gjenerali (në përpunim si element armik), shprehet se “në naftë po përgatitet dhe do të bëhet një goditje e re, më e fortë se e para, prandaj duhet të mos projektojmë puse. Në Këshillin Shkencor nuk duhet të ngrihemi vetë të diskutojmë, por atëherë kur kërkohet nga të tjerët me këmbëngulje dhe në fund të fundit të shikohet se kush dhe çfarë ka diskutuar”. Inxhinieri gjeolog, Thanas Nasto (në përpunim si agjent rus), midis të tjerave thotë: “formacionet e flishit, nuk shërbejnë si mbulesë për gëlqerorët e vendit tonë”.

Ndërsa inxhinieri Ilia Dhimulla, në relacionin ku bën interpretimin e materialit faktik të pusit “Hekal- 5”, megjithëse ky pus na jep naftë, rekomandon se “prezenca e azotit në gazin shoqërues të naftës, në formularin e gëlqerorëve nuk është karakteristikë, gjë që do të thotë se në struktura nuk është naftë-gazmbajtëse”. Qëndrime, shprehje “rekomandime” të tilla kanë frenuar disa specialistë, sidomos ata të rinj, për t’u marrë me punë kërkimore-shkencore dhe të ngurojnë të shfaqin mendime e të zhvillojnë debate për probleme të ndryshme të kërkimit e zbulimit të naftës.

Për pasojë, edhe tematika shkencore dy vitet e fundit nuk janë realizuar në kohë dhe studimet e orientuara drejt thellësive të mëdha që nuk përputhen me kapacitetin e makinerisë ekzistuese, duke çuar kështu kufizimin e perspektivës dhe moszbulimin e strukturave të reja naftë-gazmbajtëse për realizimin e rezervave të naftës. Ka të dhëna që flasin se veprime direkte sabotuese kryhen edhe në drejtimin e shfrytëzimit të vendburimeve, si nëpërmjet shkeljeve të rënda të projekteve të shfrytëzimit, vendosjes së regjimeve të sforcuara në shfrytëzimin e disa puseve dhe avancimeve të larta të kontaktit ujë-naftë në pjesët kulmore e pranëkulmore të shtresave, ashtu dhe nëpërmjet ndalesave të puseve, duke shkaktuar defekte të ndryshme në pompat e thellësive, në nyjat kryesore të vulfeve, në elektromotorët e stacionit të pompimit e të dekantimit, në tubacionet e transportit të naftës etj.

Kjo gjë nuk përputhem me orientimet e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe kërkesat e rregullores për një shfrytëzim racional të këtij vendburimi. Dhe nga këto veprime janë kritikuar nga specialistët e punëtorët, bile nuk janë miratuara as në këshillin teknik të ndërmarrjes. Megjithatë, drejtori i ndërmarrjes së nxjerrjes, Robert Kokonozi, jo vetëm që nuk ka dëgjuar zërin e tyre, por në disa raste ka vepruar me “iniciativë” dhe ka urdhëruar përgjegjësit e sektorëve që të bëjnë ndryshime të regjimeve të puseve dhe kur ndonjë e ka kundërshtuar, ai i është kundërvënë me shprehjet “gjendjen e vendburimit e di unë….ju nuk e kuptoni situatën…jemi të rrethuar, atdheu ka nevojë për naftë”, etj., shprehje këto identike me ato që përdoren në raste të tilla nga pjesëtarët e grupit armiqësor të sabotatorëve ne naftë. Veç kësaj, në këto vendburime (Gorisht-Kocul) janë gjetur edhe puse të ndaluar për shkak të defekteve të shumta mekanike. Kështu gjatë muajit mars të këtij viti, në disa puse janë gjetur një sërë defektesh, të cilat kanë sjellë si pasojë jo vetëm ndërprerjen e prodhimit, por edhe dëmtimin e makinerisë. Në grykën e puseve janë gjetur të hedhura kunja e pjesë të tjera metalike, të cilat kanë shkatërruar dhe dëmtuar pompat e thithjes së naftës etj., ndërsa në tubacionet e transportit të naftës dhe gazit ka pasur shfaqje zjarri dhe shumë defekte të tjera që kanë shkaktuar ndalesa në puse. Aktualisht ndiqen tre persona si autorë të mundshëm të këtyre veprimeve.

c) Zbulimet e huaja kapitalistorevizioniste interesohen të marrin të dhëna mbi sasinë e rezervave të nxjerrshme të naftës e të gazit, mbi formacionet dhe strukturat naftëgazmbajtëse, rajonet dhe thellësitë ku shpohet e kërkohet, si dhe mbi nevojat për pajisje, mjete makineri etj. Relacioni i Sigurimit: “Inxhinieri italian Calvarezi, agjent” Kështu, mbas zbulimit të vendburimit të ri në Cakran, në një ambasadë të huaj është firmosur një radiogram, me anë të cilit ajo njoftonte shtetin e vet se, “Në Shqipëri është zbuluar një vendburim nafte me një prodhim vjetor minimal prej një milion ton naftë”.

Inxhinieri italian Calvarezi, i cili kërkoi me insistim të vinte si “dashamirës” i Shqipërisë për “ndihmë” në aplikimin e disa metodave efektive për kërkim nafte dhe gazi në vendin tonë, me gjithë premtimet e shumta, ai parashtroi disa kërkesa që hedhin dyshime për veprimtari spiunazhi në naftë, gjë që përforcohet edhe nga analiza e ndjekjes së mëtejshme që i bëhet këtij problemi. I tillë ka qenë edhe qëndrimi i një pjesëtari të delegacionit tregtar të ardhur nga Greqia në fillim të vitit 1978, i cili është interesuar të grumbullojë të dhëna mbi shtrirjen e thellësinë e puseve të naftës, mbi metodat e nxjerrjes së saj, mbi rrogat e punonjësve të naftës etj. Të dyshimta paraqiten gjithashtu edhe takimet e disa specialistëve tanë të naftës me persona të huaj.

Kështu, inxhinier Spiro Veizi ka realizuar takime shumë të dyshimta me zbuluesin grek, Dino Gjika, në rastin kur ishte ansambli grek në qytetin e Fierit, inxhinieri Skënder Myftari mban korrespodencë të dyshimtë me një specialist rus, i cili ka qenë në vendin tonë me punë para vitit 1960-të etj. Mbi përpjekjet që bëhet nga zbulimet e huaja për të penetruar në sektorin e naftës, tregojnë veç sa më sipër, edhe disa tentativa për të fotografuar objekte të naftës, takime të dyshimta të të huajve që vinë në vendin tonë me disa persona që punojnë në këtë sektor, krijimi i disa lidhjeve nëpërmjet korrespodencës dhe të servirurit nga disa specialistë të huaj të “ndihmave” në literaturë tekniko-shkencore etj. Të dhënat e sinjalet që kanë dalë në këtë drejtim janë vlerësuar dhe trajtuar dhe aktualisht për këtë tendencë ndiqen 9 persona në përpunim aktiv.

Megjithëkëtë, në punën e Sigurimit ka akoma të meta e dobësi, gjë që kërkon kualifikimin më të madh të saj për zbulimin në kohë e thellësi të agjenturave të huaja dhe të veprimtarisë së tyre në këtë sektor. Vlen të theksohet se me gjithë ndjekjen e përpunimeve të disa çështjeve hetimore, organet e Sigurimit në sistemin e naftës nuk po nxjerrin saktë organizimin dhe veprimin e elementëve armiq. Kjo sa për dobësitë tona, aq dhe për gjendjen shumë të turbullt që është krijuar në organizimin e drejtimin në këtë sektor, çka pengon nxjerrjen e konkluzioneve të sakta të veprimtarisë armiqësore. Në të njëjtën kohë organet drejtuese të naftës më tepër kujdes duhet të tregojnë sidomos në ruajtjen e sekretit si gjatë punës ashtu dhe në marrëdhëniet me të huajt, ashtu dhe në trajtimin e materialeve që përdoren në mbledhje të ndryshme etj.

2. Mbi shfaqjen liberale dhe metodës rutinë të disa kuadrove të sektorit në naftës dhe gazit në qendër dhe bazë, gjatë plotësimit të detyrave në dinamikë, të cilat u japin mundësi armiqve të kamuflohen në veprimtarinë e tyre sabotuese.

a) Në punën kërkimore-shkencore që kryhet në naftë, vitet e fundit janë konstatuar të meta serioze që kanë influencuar negativisht në realizimin e detyrave për zbulimin e vendburimeve të reja, në realizimin e shpimit të puseve në kohë, me cilësi e pa avari në vënien në gatishmëri dhe shfrytëzimin racional të vendburimeve etj. Të tilla mund të përmendim zvarritjet e mospërgatitjet në kohë të punimeve në rajonin e Sarandës (Kalacat, Vanë), strukturat e Hekalit, Rexhepaj, në rajonin e Cakranit, të Vlorës, në Lushnje etj.
(vijon nesër)
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb