Nga: IV KALOÇI*
Sot ekskluzivisht në “Gazeta Shqiptare”, për herë të parë po publikojmë të plota disa relacione sekrete të Drejtorisë së Zbulimit dhe të Komitetit të Partisë së rrethit të Tropojës të përpiluara gjatë muajve qershor-shtator të vitit 1968, dërguar përkatësisht ish-ministrit të Jashtëm dhe më pas instruktorit në KQ për Marrëdhëniet me Jashtë Behar Shtyllës dhe vetë Sekretarit të KQ të PPSH-së Hysni Kapos, lidhur me zhvillimet e vrullshme politikoekonomike dhe sociale në bllokun lindor në vjeshtën e viti 1968.

E stacionuar në ambientet e Ministrisë së Jashtme, Drejtoria e Zbulimit me Jashtë e drejtuar nga Jonuz Mersini, në këto dy kabllograme përkatëse dërguar Behar Shtyllës, tregon qartë disa informacione tepër të detajuara lidhur me zhvillimet e demonstratave në Pragë të Çekosllovakisë si dhe paralelisht demonstratat e para që shpërthyen në Kosovë dhe në vise të tjera të shqiptarëve të ish- Jugosllavisë në kërkesat e vazhdueshme për statusin e Krahinës Autonome me të drejta të plota.

Gjithashtu, nëpërmjet burimeve operative të Sigurimit të Shtetit të përqendruara në shtetet fqinje të Ballkanit dhe në ato të bllokut komunist të Europës Lindore, Mersini vë në dije Komitetin Qendror për të gjitha lëvizjet politike dhe diplomatike të qeverisë së Josip Broz Titos, e cila për të “parandaluar” një pushtim të mundshëm sovjetik të Jugosllavisë pas asaj të Pranverës së Pragës, do të mund të krijonte një pakt ballkanik antisovjetik së bashku me Rumaninë, Greqinë, Bullgarinë, Turqinë dhe më pas edhe Shqipërinë (si dhe ecurinë politike përkatëse të këtyre shteteve). Po e njëjta gjë do të vërehet edhe në materialin e dytë sekret të sekretarit të Komitetit të Partisë të rrethit të Tropojës, Ali Krujës, dërguar personalisht Hysni Kapos (ky i fundit ia ridërgon vetë ministrit të Mbrojtjes, Beqir Ballukut me rekomandimin për ta parë vetëm hierarkët e lartë të ushtrisë) lidhur me masat drastike të ndërmarra nga ushtria dhe sigurimi jugosllav në kufirin me Shqipërinë dhe jo vetëm gjatë periudhës së pushtimit sovjetik të Çekosllovakisë, si dhe përgatitjen nga ana e Forcave të Armatosura të Shqipërisë në kufirin verioroverilindor.

Viti 1968 do të sillte një tronditje të thellë në disa nga vendet komuniste të Europës Qendrore dhe Lindore, përsa u përket zhvillimeve politike dhe sociale. Procesi i Pranverës së Pragës, ndërhyrja e Traktatit të Varshavës ushtarakisht në territorin çekosllovak, “shpallja e pavarësisë” së Rumanisë së Çausheskut nga tutela e Moskës, zhvillimi i demonstratave studentore në Prishtinë, por edhe në Sarajevë, Zagreb dhe Lubjanë për të kërkuar më shumë të drejta për autonomi dhe barazi kushtetuese nga Beogradi zyrtar si dhe dalja e Shqipërisë nga Traktati i Varshavës dhe KNER-i do të trondiste thellë pozitat e komunizmit sovjetik në këto vende, çka do të shënonte edhe fillimin e fundit të regjimeve diktatoriale komuniste, që do të shembeshin 22 vjet më pas me rënien e Murit të Berlinit.

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE TEPER SEKRET DREJTORIA E ZBULIMIT EKZEMPLAR.
NR. 1 Nr. 15 Tiranë, më 27.6.1968 4. Më datën 28 maj 1968, në Kosovë është bërë thirrja nën armë e datëlindjes 1950, 40 për qind të rekrutëve të rinj i kanë mbajtur në Kosovë, ndërsa pjesën tjetër i kanë dërguar në republika të tjera të Jugosllavisë. 5. Në afërsi të Gjilanit, në lumin Morava, nga Republika e Serbisë, para disa kohësh u bënë përgatitjet për të filluar ndërtimin e një hidrocentrali që do të përmbytë 33 fshatra shqiptare. Për të ndaluar ndërtimin e këtij hidrocentrali, shkuan tek Tito, Fadil Hoxha dhe Veli Deva, mbas së cilës me urdhër të Titos, u pezullua ndërtimi.

Ky veprim ka rritur autoritetin e Fadilit dhe Veli Devës në atë zonë. Hidrocentrali do jepte energji për Serbinë. 6. Gjatë mbledhjes akademike për të përkujtuar 500- vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, rinia dhe intelektualët e Gjilanit shprehën si në shumë qytete të tjera dashurinë për Republikën Popullore të Shqipërisë dhe udhëheqjen e Partisë të vendit tonë, duke hedhur parulla të tilla, si “Rroftë Skënderbeu”, “Rroftë Enver Hoxha”, “O burrani se erdhi Skënderbeu”, etj.

Dokumenti i Sigurimit: “500- vjetori i vdekjes së Skënderbeut konfronton shqiptarët dhe serbët” Këtij manifestimi të ndjenjave të patriotike të gjilanasve, serbët ju përgjigjën me kundërparulla shoviniste të shkruara apo shpërndara apo të ngjitura nëpër mure, si: “Poshtë Skënderbeu”, “Kosova është e Serbisë”, “Poshtë Shqipëria”, “Poshtë Tito”, “Rroftë Serbia”, “Rroftë Car Dushani”. Për këtë në Gjilan janë arrestuar 15 serbë, të cilët janë akoma në burg të pagjykuar dhe të padënuar.

III PËR GREQINË
Nga të dhëna të ndryshme të grumbulluara nga burimet tona në vend dhe në emigracionin grek në shtetet e Perëndimit, rezulton se gjendja në Greqi vazhdon të jetë e pastabilizuar. Arrestimet dhe ndjekjet e elementëve kundërshtarë të Juntës, sa kohë kalon po bëhen edhe më të theksuara, për vete faktin sepse edhe kundërshtarët e qeverisë së tanishme me kalimin e kohës filluan të dalin nga shoku në të cilin u gjendën mbas grushtit të shtetit dhe po bëjnë tentativë për një rezistencë më aktive dhe më të organizuar.

Kjo gjë sidomos vihet re në kuadrot kryesorë të Flotës Ushtarake Detare të Mesdheut, ku Partia e Qendrës së Papandreut ka pasur baza më të forta dhe vërtetohet edhe nga fakti sepse në këtë armë po bëhen me tepër se kudo goditje nga Junta. Edhe “reformat” në favor të fshatarësisë, të bëra nga qeveria ushtarake, si dhe 450 milion dollarët që gjatë një viti investuan kapitalistët amerikanë dhe gjermano-perëndimorë, nuk ndihmuan në stabilizimin e gjendjes së brendshme. Nga të dhënat të marra afër nëpunësve të ambasadës greke në Paris, Junta ushtarake po bën përpjekje të formojë një parti politike të saj, me anë të së cilës të legalizojë mbajtjen e pushtetit.

Por në gjirin e saj kanë lindur kontradikta lidhur me programin e kësaj partie. Ata janë ndarë në dy grupe kryesore si më poshtë: Grupi i Makarezos dhe Lados kërkon që programi të orientojë partinë në një politikë të brendshme dhe të jashtme ekstremiste të djathtë, të lidhur ngushtë me amerikanët, NATO-n dhe përkrahësit e tyre. Grupi tjetër, të cilin thuhet se e kryeson vetë Papadhopullos është për një program politik të ngjashëm me atë të Naserit dhe për një afrim me vendet e Lindjes. Ky grup thuhet se mbështet nga oficerë të rinj të garnizonit të Selanikut dhe shkollave ushtarake, por pozitat e tij akoma nuk janë të konsoliduara.

Këtë konjukturë të brendshme të pasigurt, Junta ushtarake greke kërkon ta kompensojë në favor të saj me masa dhe iniciativa “të vullnetit të mirë”, në politikën e jashtme dhe sidomos me vendet fqinje të saj. Ashtu si kemi njoftuar edhe në informacionet e mëparshme, ata vazhdojnë përpjekjet e tyre për të normalizuar marrëdhëniet e tyre me Turqinë, me Bullgarinë dhe me Jugosllavinë. Lidhur me këtë, një burim i yni nga Ankaraja na informon se Papadhopullos, në fillim të muajit qershor i ka dërguar një mesazh Demirelit, me anë të cilit i propozon që të dy palët të zgjidhin mosmarrëveshjet që kanë rreth problemit të Qipros. Si rrugë më të përshtatshme për këtë, Papallopullos sugjeron që Qipro të mbetet vend indipendent dhe Greqia e Turqia të heqin dorë nga pretendimet e tyre ndaj ishullit.

Kryeministri grek thekson se një hap i tillë do të krijonte të gjitha mundësitë që midis dy vendeve të vendosen marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Duke e lënë Qipron shtet indipendent dhe sovran do të mbyllen njëherë e përgjithmonë plagët e hapura dhe do të shuhen grindjet e shkaktuara në mes Greqisë dhe Turqisë. Në fund, Papadhopullos shpreh besimin se edhe pala turke do t’i përgjigjet këtij vullneti dhe dëshire që shfaq pala greke.

Lidhur me sa sipër, qeveria turke akoma nuk ka dhënë përgjigje. Xhelal Bajari ka thënë se ai do bëjë çmos që kryeministri turk të pranojë propozimin grek. Mersini: Grekët po bëjnë përpjekje për të normalizuar marrëdhëniet me Shqipërinë 2.Ditët e fundit nga burimet tona në Paris dhe në Stamboll, përsëri na servirën të dhëna që bëjnë fjalë për dëshirën e qeverisë greke për të gjetur momentin të hyjë në tratativa për të normalizuar marrëdhëniet me vendin tonë.

Konsulli grek në Paris, në një bisedë më burimin tonë ka thënë se qeveria greke është e interesuar që të normalizojë marrëdhëniet me Shqipërinë dhe duke e lënë mënjanë problemin e ndërlikuar të Vorio- Epirit dhe sa për t’i shërbyer kësaj ajo (dm.h. qeveria greke), së shpejti do të marrë masa për të përgatitur opinionin e brendshëm, duke hequr dorë nga fushata propagandistike kundër Shqipërisë. Dhe mbas kësaj, qeveria greke do të kërkojë të gjejë rastin oportun të marrë iniciativën. Po lidhur me këtë çështje, një burim tjetër i yni në Stamboll na informon se në rrethet e Patria-  kanës dhe konsullatës greke atje, flitet se qeveria greke së shpejti do të marrë iniciativën për normalizimin e marrëdhënieve me Shqipërinë, sepse sipas tyre këtë gjë e kanë aprovuar edhe amerikanët. Në elementët grekë në Stamboll, flitet se së shpejti qeveria greke do të trokasë në derën e Shqipërisë.

DREJTORIA E ZBULIMIT: GREQIA DO TË KRIJOJË NJË BALLKAN TË RI
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm, Pipinelis, në një intervistë të dhënë shtypit kohët e fundit, ku nuk ka përmendur fare vendin tonë, ndër të tjera theksonte se marrëdhëniet e Greqisë me Bullgarinë dhe me Rumaninë, e sidomos ato me Jugosllavinë e Turqinë, janë përmirësuar mjaft. Dhe më poshtë ai shtonte se: Greqia është e gatshme për përpunimin e një statusi të ri lidhur me marrëdhëniet midis shteteve ballkanike. IV. PËR FLOTËN SOVJETIKE NË MESDHE Mbas agresionit izraelito-imperialist kundër vendeve arabe, flota ushtarake sovjetike në Mesdhe, përbëhet nga këto njësi: një kryqëzor prej 10.000 tonësh i pajisur me raketa K.A. 4 kaçator-pedinjer të tipit “Kotlin” prej 2.900 ton secili të pajisura me raketa K.A. të klasit det-ajër, një kaçator-pedinjer i tipit Kashin, prej 5.000 ton i cili përveç raketave ka dhe një platformë për helikopterë, 6 nëndetëse, një pjesë e të cilave janë me motorë atomikë, 14 katera silurues, 15 anije transporti dhe 15 anije mbështetëse për furnizimin e flotës.

Nga të dhënat, përveç ekuipazhit të anijeve, në përbërje të saj flota ka edhe forca të këmbësorisë detare, të stërvitura posaçërisht dhe të destinuara për desantë. Ato janë të kompletuara dhe me mjete moderne zbarkimi. Aktualisht sovjetikët për flotën e tyre të Mesdheut kanë siguruar një bazë në Siri dhe tri baza në RAB (Port-Said, Aleksandri dhe Sixhi-Baren afër kufirit me Libinë). Tani ata po përpiqen për të siguruar edhe një bazë të përshtatshme të tyre në Algjeri, por për këtë akoma nuk kanë mundur që të bindin algjerianët. Furnizimin e saj kjo flotë e bën në portet arabe të sipër-shënuara. Megjithatë, revizionistët sovjetikë kanë bërë disa herë tentativa për të siguruar një bazë qëndrimi e furnizimi në bregdetin jugosllav.

Në fillim thuhet se Tito nuk ka pranuar, për arsye se kjo gjë do t’u jepte shkas amerikanëve që të ndërprisnin ndihmën për Jugosllavinë. Por nga të dhënat e tjera, rezulton se gjatë vizitës së fundit që ai bëri në Moskë, në bisedime me Brezhnjevin, ai pranoi që flota sovjetike vetëm të furnizohet në portin Boka-Kotorska, sa herë të ketë nevojë dhe për këtë u përfundua edhe një marrëveshje me afat për 4 vjet. Sipas një burimi afër rretheve ushtarake turke, gjatë pesë muajve të këtij viti nga Dardanelet në drejtim të Detit Mesdhe kanë kaluar 68 anije ushtarake sovjetike të tipave të ndryshme.

Sipas burimit, për kalimin në Dardanele, mjafton që sovjetikët t’u paraqesin autoriteteve turke lejen që ato kanë siguruar për ankorimin në një nga vendet arabe dhe tri ditë mbas kësaj, anijet mund të kalojnë nëpër këtë ngushticë në bazë të konventës ndërkombëtare në kohë paqe. Megjithëse ekzistenca e flotës sovjetike në këto ujëra, bëjnë pjesë në marrëveshjen sovjeto-amerikane lidhur me ndarjen e zonave të influencës që u vendos në bisedimet sekrete të Gllasboros, në shtetet e Evropës Perëndimore e sidomos në ato të pellgut të Mesdheut, nga dita në ditë duken shenja shqetësimi dhe frike për synimet e sovjetikëve në Mesdhe dhe e akuzojnë Shtëpinë e Bardhë se nuk e vlerëson seriozisht prezencën e kësaj force dhe qëllimet e saj në Mesdhe.

Ata i shqetëson gjithashtu fakti se deri tani nuk kanë mundur të sigurojnë të dhëna të sakta mbi forcën goditëse të kësaj flote. Për të përballuar çdo lloj të papriture, ata kanë kërkuar me insistim dhe në sesionin e fundit të Këshillit të NATO-s, u vendos që në të ardhmen të ketë një koordinim më të ngushtë të veprimeve ushtarake midis flotës së 6-të amerikane dhe flotës angleze, italiane, greke dhe turke në Mesdhe. Në kuadrin e këtyre kërkesave, shtetet e NATO-s kanë zhvilluar edhe një seri manovrash ushtarako-detare në këtë zonë me pjesëmarrjen e këtyre forcave. Jonuz Mersini (vijon)
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: