“Shqipëria e ngecur në korrupsion” është tema e hedhur në tryezën e emisionit “Open” në News24 mbrëmjen e kësaj të mërkure, referuar raportit të fundit të publikuar nga “Transparency International”.

Fatos Çoçoli, ekspert ekonomie, u shpreh se Shqipëria ka goditur korrupsionin, por jo atë madhor, çka e sheh si problem të rëndësishëm.

“Korrupsioni ka marrë goditje, 95% e shërbimit përmes internetit ka larguar sekserët, të shërbimeve publike, kjo shtresë nuk është më. Por jo korrupsioni madhor, ai gjendet i strukur në kapjen e shtetit. Bërja e ligjeve sipas interesave të caktuara, sjell më shumë dëm, këtë e shoh me shqetësim. Është shumë komode të denoncosh, por nuk është aq komode të veprosh”, deklaroi ai.

Nga ana tjetër Enno Bozdo, ekspert ekonomie dhe anëtar i Këshillit Kombëtar të PD, shprehet se korrupsioni është i shtrirë në të gjitha strukturat e shtetit.

“Raporti i tranzicionit dhe i mirëqeverisjes i publikuar nga BERZH, tregoi se Shqipëria ka ulje nga viti i kaluar, dhe sipas raportit dobësia e institucioneve shqiptare gërshetuar me korrupsionin e përhapur, kanë shërbyer për rënien kaq të madhe. Ka një sërë faktesh që ndikojnë. Një vit më parë, në verë, barometri i sigurisë konkludonte që 52% e shqiptarëve e perceptonin korrupsionin si rrezikun më të madh të vendit në vitet në vijim, dhe 20% e tyre mendonin se në vitet në vijim korrupsioni do të përkeqësohej.

Korrupsioni është i kudondodhur dhe ka kapur gjithçka. Kini parasysh që ky raport i takon periudhës besoj unë të fundit të vitit të 2021 deri në mesin e 2022. Në perceptim të publikut shqiptar për korrupsionin mungojnë 5 ngjarje madhore, që do ti ulnin Shqipërisë ende më shumë pikë… Porti i Durrësit, inceneratorët, kapja e këshilltare së kryeministrit që u vodhën paratë nga pastruesja, skandali i ministrisë së financave dhe mbi të gjitha superskandali i korruptimit personal i agjentit të FBI nga kryeministri. Ky është një vullnet i pastër politik për të kapur çdo gjë”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb