Organizata “Humans Rights Watch” publikoi një raport të ri mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në rreth 100 vende të botës. Gjetjet tregojnë se rajoni Tigrai i Etiopisë, Mianmari dhe Sudani përballen me situatën më të rëndë. Drejtori i Organizatës me bazë në Nju Jork u bëri thirrje udhëheqësve demokratë që të adresojnë problemet e mëdha që ndikojnë në jetët e njerëzve, sepse në të kundërtën, thotë ai, autokratët mund të përfitojnë një shans të dytë.

Drejtori ekzekutiv i organizatës Human Rights Watch, Keneth Roth, thotë se autokratët populistë në botë mund të përjetojnë një pikë kthese, pasi gjithnjë e më shumë njerëzit po e kuptojnë se fjalët e mëdha, jo gjithmonë përkthehen në vepra.

Por aktivisti i njohur i të drejtave të njeriut thekson se politikanët demokratë duhet të angazhohen më shumë për një udhëheqje vizionare, që autokratëve t’u pamundësohet një shans i dytë.

Organizata me bazë në Nju Jork, publikoi të enjten raportin vjetor mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në rreth 100 vende të botës, ku ky grup është i angazhuar – nga Afganistani në Zimbabve.

“Ka të bëjë me garën globale mes autokracisë dhe demokracisë. Ekziston teoria se autokratët janë në rritje dhe se demokratët janë në rënie. Duke analizuar vitin e kaluar, kuptuam se kjo teori është shumë sipërfaqësore. Nëse e vendosni veten në vendin e një autokrati, e shihni se sfidat janë të jashtëzakonshme”, thotë zoti Roth.

Gjetjet tregojnë se rajoni Tigrai i Etiopisë, Mianmari dhe Sudani janë tre vendet me situatën më shqetësuese në botë.
Raporti gjithashtu vë në dukje manipulimet në zgjedhje në vende si Rusia, Bjellorusia dhe Nikaragua. Sipas zotit Roth zgjedhjet e manipuluara janë shenja dëshpërimi e dobësie për udhëheqësit e këtyre vendeve.

Organizata ngre shqetësimin për situatën në Mianmar ku junta po përpiqet të mbajë me forcë pushtetin. Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar për rrezikun e shpërthimit të një lufte civile atje.
“Janë vrarë më shumë se 1 mijë e 400 demonstrues, por rezistenca është e madhe. Ka një lëvizje mbarëkombëtare për mosbindje civile si dhe janë shtuar dezertimet nga ushtria. Situata mund të përkeqësohet shumë, sepse junta ka humbur plotësisht respektin e popullit”, thotë zoti Roth.

Ndërsa në Etiopi ka më pak luftime, zoti Roth thekson se qindra mijëra njerëz në Tigrai përballen me mungesë ushqimi dhe janë në prag të urisë. Kryeministri Abiy Ahmed nuk ka dhënë shenja për lehtësimin e bllokadës së krijuar në rajonin në të cilin lufta më shumë se njëvjeçare shkaktoi një krizë shkatërruese humanitare.

Zoti Roth tha se udhëheqësit demokratikë po dështojnë të adresojnë çështjet që kanë ndikim në jetët e njerëzve si ndryshimi i klimës, pandemia COVID-19, varfëria, padrejtësia racore dhe sfidat e paraqitura nga teknologjia.

Aktivisti kritikoi qeveritë perëndimore, në veçanti ato që arrijnë marrëveshje për investime dhe u shesin armë vendeve që shkelin të drejtat e njeriut.
“Ka nevojë për udhëheqje vizionare të përmasave të nevojshme për të adresuar problemet e sotme. Duhet të flasim për këto çështje. Duhet ta pranojmë se udhëheqësit e sotëm demokratikë nuk po e bëjnë këtë”, thotë zoti Roth.

Ai shmangu pyetjen se kush mund të jenë udhëheqësit vizionarë në botë, por paralajmëroi se nëse udhëheqësit demokratë vazhdojnë të dështojnë, autokratët mund të përfitojnë një shans të dytë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb